Danimarkë, lejohet hapja e disa bizneseve

Parukeritë, klinikat dentare, fizioterapitë dhe autoshkollat do të rihapen të hënën pas një mbylljeje për rreth një muaj për shkak të shpërthimit të koronavirusit, njoftoi qeveria.

Qeveria e kryeministres, Mette Frederiksen njoftoi sot masat, pas bisedimeve me partitë e tjera në parlament.

“Kemi një marrëveshje! Jam jashtëzakonisht e lumtur që të gjitha partitë e parlamentit këtë mbrëmje kanë rënë dakord të zgjerojmë fazën e parë të rihapjes”, shkroi Frederiksen në Facebook.

Marrëveshja u miratua nga partitë që mbështesin qeverinë e Frederiksen si dhe partitë kryesore të opozitës, përfshirë liberalët e qendrës së djathtë dhe Partinë Popullore daneze.

“Askush nuk dëshiron të mbajë Danimarkën mbyllur për më gjatë se sa është e nevojshme. Por, nuk duhet të lëvizim më shpejt nga sa mund të mbajmë epideminë nën kontroll”, shtoi Frederiksen.