Dalin dokumentet se si Real Madridi uli pezullimin e lojtarit të tyre për doping nga katër vjet në vetëm një muaj

Real Madridi akuzohet vazhdimisht në Spanjë se ka lidhje të nivelit të lartë dhe i përdor ato në avantazhin e tyre, edhe pse kjo nuk është provuar kurrë në gjykatë.

Akuzat janë intensifikuar me Florentino Perezin në rolin e presidentit dhe së fundmi kanë dalë në dritë disa informacione që kanë ndezur një skandal të ri mediatik mbi këtë temë.

Mediumi spanjoll Relevo ka bërë një investigim dhe arritën të vinin në dorë disa dokumente që tregojnë se si ndalimi që normalisht duhej të ishte 4 vjet u reduktua në vetëm një muaj.

Bëhet fjalë për një episod të ndodhur në vitin 2017, kur Raul de Tomas, i regjistruar në atë kohë te Real Madrid Castilla (aktualisht në Rayo Vallecano), rezultoi pozitiv për ostarinë, një substancë që rrit masën muskulore.

Substanca është e ndaluar nga WADA (Agjencia Botërore Anti-Doping) dhe klasifikohet si “jo specifike”, që do të thotë se nuk mund të gëlltitet aksidentalisht.

Dhe fakti që një atlet e mori me qëllim normalisht tërheq një pezullim prej katër vjetësh, plus një gjobë prej 3,001 deri në 12,000 euro.

Por CELAD, organi antidoping në Spanjë, pranoi, pa prova konkrete, se lënda ka hyrë aksidentalisht në trupin e sulmuesit 30-vjeçar, duke e pezulluar për një muaj dhe duke i dhënë gjobën minimale.

De Tomas tha se mori një suplement ushqimor që do t’ia kishte rekomanduar dietologu i tij dhe i tregoi disa pagesa që nuk specifikonin produktin në fjalë.

Futbollisti prezantoi edhe një mostër të produktit dhe pas analizave u konfirmua se përmban ostarinë.

Megjithatë, De Tomas nuk ka dhënë asnjë provë konkrete se ai ka paguar ose e ka përdorur atë.