Dalin detaje të reja për çeçenët që deshën ta vrisnin presidentin ukrainas, çka ndodhi me dy grupet?

Ukraina thotë se skuadra elitare e goditjes çeçene e dërguar për të vrarë Volodymyr Zelensky është eliminuar

Një atentat kundër Volodymyr Zelensky nga çeçenë ka dështuar, tha një zyrtar i lartë ukrainas.

Oleksiy Danilov, sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, tha se një “grup elitar” çeçenësh kishte mbërritur në Kiev për të vrarë presidentin ukrainas, raporton The Telegraph, përcjell Bota sot.

Ai tha se ata ishin në dy njësi, njëra prej të cilave u kap, ndërsa tjetra ishte nën zjarr nga forcat ukrainase.

Sipas inteligjencës amerikane, një synim rus ka qenë të “presin kokat” e qeverisë ukrainase duke vrarë udhëheqjen e saj.

Zelensky ka përshkruar se si “armiku më ka shënuar si objektivin numër një”.

Të martën, Ramzan Kadyrov, udhëheqësi i Çeçenisë, tha se çeçenët ishin vrarë në pushtimin e Ukrainës nga Moska. Kadyrov, një aleat i Kremlinit, i ka dhënë mbështetjen e tij sulmit të Vladimir Putinit në Ukrainë, duke dërguar luftëtarët e tij në vend.

Ai tha: “Fatkeqësisht, ka tashmë humbje në mesin e vendasve të Republikës Çeçene. Dy vdiqën, gjashtë të tjerë u plagosën në shkallë të ndryshme.”

Ishte e paqartë nëse ato viktima ishin të lidhura me të njëjtat ngjarje të përshkruara nga Danilov.

Danilov i tha televizionit ukrainas se njësitë çeçene që “erdhën për të vrarë presidentin tonë” ishin “eliminuar”./Botasot