Çulev-Siarto: Mbështetja nga Hungaria është konfirmim i marrëdhënieve të mira mes dy vendeve

Ministri i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev, realizoi sot një takim pune me ministrin e Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Siarto, i cili me një delegacion të lartë të Hungarisë po qëndron për vizitë zyrtare në vendin tonë.

Nga ana e ministrit hungarez Siarto u dorëzua zyrtarisht një donacion për Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila përbëhet nga 100.000 maska dhe 5.000 kostume mbrojtëse njëpjesëshe.

Siç kumtoi MPB-ja, ministri Çulev ka shprehur mirënjohje për donacionin që vjen në kohën e duhur për Ministrinë dhe dedikohet për efektivët e policisë, roli i të cilëve në përballjen me koronavirusin është jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin.

Ministri Çulev u falënderua për pjesëmarrjen e efektivëve të policisë hungareze në operacionet e përbashkëta në kufirin jugor, të cilët me profesionalizmin e tyre po marrin pjesë aktive në luftën kundër emigracionit ilegal.

Në takimin, i cili u mbajt në MPB, bashkëbiseduesit shkëmbyen informacione për masat e marra për t’u përballë me pandeminë dhe bashkërisht ranë dakord që mbështetja që vjen nga Hungaria është e rëndësishme për vendin tonë dhe është një konfirmim i miqësisë dhe marrëdhënieve të mira.