Conte: Objektivi po afrohet, UEFA duhet të reflektojë për ndarjen e të ardhurave

FERRARA, ITALY - JULY 16: Antonio Conte head coach of FC Internazionale issues instructions to his players during the Serie A match between SPAL and FC Internazionale at Stadio Paolo Mazza on July 16, 2020 in Ferrara, Italy. (Photo by Alessandro Sabattini/Getty Images)

Interi ka regjistruar dy barazime radhazi në harkun e tre ditëve, të dyja në transfertë dhe me rezultatin 1-1, megjithatë objektivi titull sa vjen e afrohet dhe tashmë zikaltrit kanë nevojë për vetëm 8 pikë që ta fitojnë trofeun edhe matematikisht.

Në përfundim të sfidës me Spezian, trajneri Antonio Conte pranoi se skuadra mund të kishte bërë më mirë për të marrë tre pikët, por theksoi se mungoi cilësia në pasimin e fundit dhe në finalizim, duke iu referuar rastit të humbur nga Romelu Lukaku.

“Objektivi është më pranë dhe natyrisht që presioni shtohet., Shumë futbollistë garojnë për herë të parë në nivele të tilla, por po ia dalin mirë. Ndaj Spezias ishte një ndeshje me mjaft intensitet dhe po të kishim fituar, nuk do të kishim vjedhur asgjë. Mund të bënim disi më mirë në pasin e fundit dhe në finalizim, por nga pikëpamja e impenjimit, skuadra bëri shumë mirë”, u shpreh tekniku zikaltër.

Në mungesë të një konference për shtyp para ndeshjes, menjëherë pas saj Conte dha mendimin e tij edhe për Super Ligën europiane për klube, duke thënë se nuk i pëlqen si kompeticion, por njëkohësisht dërgoi një mesazh të qartë edhe për UEFA-n.

“Unë si trajner besoj shumë te meritat sportive dhe te respektimi i traditave, ndaj një kompeticion i tillë nuk më duket i përshtatshëm. Megjithatë mendoj se kjo lëvizje duhet të bëjë UEFA-n të reflektojë, pasi në fund të fundit janë klubet e futbollit ato që shpenzojnë për të krijuar një spektakël të tillë dhe duhet të shpërblehen shumë më tepër. Nëse fitohen 10, nuk mund të shpërndahen vetëm tre për klubet, pasi rrezikohet stabiliteti i tyre financiar”, u shpreh trajneri zikaltër.