Co vid-19 në Gostivar, rritet numri i pacientëve të shtrirë në spital

Situata me kovidin vazhdon të jetë tejet alarmante në Gostivar. Në vetëm dy ditët e fundit, numri i të shtrirëve në spitalin modular është shtuar për rreth 30 pacientë, thotë mjeku i infektives Gent Bilalli.

Shumica e rasteve që vinë ditëve të fundit, janë me nevojë për oksigjen dhe kjo mbështetje shfrytëzohet maksimalisht nga spitali. Situata është vërtetë alarmante në Gostivar. Apeloj tek të gjithë qytetarët që ta trajtojnë veten si pozitiv. Jam i sigurt se çdo kush në familja apo lagje ka nga një rast pozitiv duke u bazuar në numrat e kontrolleve që i bëjmë ditëve të fundit. Numri është diku 48 pacientë të hospitalizuar që është vërtetë shifër që tregon se kemi situatë tejet alarmante. Nuk do e quaj si valë por cunami i virusit këtë që po na ndodh”, tha Gent Bilalli nga Reparti Infektiv-Gostivar.

Paralelisht me numrin e të prekurve, shtohet edhe numri i atyre që kërkojnë të vaksinohen. Në mesin e kësaj turme, masat, pothuajse nuk respektoheshin aspak, siç është distanca dhe mbajtja e maskës.

“Ka dy orë që pres”.

“Frikësohemi normal, në këtë tollovi edhe po t’jesh i shëndetshëm e merr koronën por s`kemi ç’të bëjmë, kështu është situata, kështu do sillemi”.

“Shumë gjatë presim, të paktën dy orë. Ora dhjetë e gjysmë e kam pas terminin. Është bërë si në komunizëm, policia lexon emrat ndërkohë që kemi terminë ne, se di ç’ka është kjo”.

Numri i të lajmëruarve dhe të interesuarve rritet shumë në mënyrë drastike për atë kemi tollovi. E shihni si është, ndoshta dikush ankohet, por të kemi pak durim dhe mirëkuptim. Në ditë afërsisht 500 persona vaksinojmë por numri gjithnjë e më tepër rritet. Shpresoj nesër të hapet edhe një pikë vaksinimi për dozën e parë dhe shpresoj të shkarkohemi pak kjo ngarkesë edhe ne”, theksoi Dafina Bogdanoska, përgjegjëse për pikën e vaksinimit në Gostivar.

Në Gostivar gjithnjë e më tepër rritet edhe numri personave nën moshën 17 vjeçe që shfaqin interesim për t’u vaksinuar.