Çmimi i lartë i arit ka ulur kërkesën për blerje

Çmimi tepër i lartë i arit ka ulur kërkesën për blerje të stolive. Nexhmedin Bushi që tashmë katër dekada merret me shitje dhe përpunim të arit tha për Alsat se shitja e arit po diktohet nga gjendja ekonomike e qytetarëve. Ai shton se shitje më e madhe shënohet gjatë sezonit të dasmave kur edhe mërgimtarët kthehen në vendlindje. Ndërkohë, familjet me të ardhura mesatare në vendin tonë nuk mund t’ja lejojnë vetes një luks të tillë.

“Nëse flasim për familje të cilat janë strikt të fokusuara në tregun tonë të punës është e qartë se mund t’ja marrin ndonjë unazë ose varëse të lehtë, ajo është perfekt sepse pagat tona dihen ndërsa çmimi i arit është në tavan, është pak si e vështirë. Përpara ka pas huazime prej njëri tjetrit tash të vetmin vend për huazim e ke bankën kurse ari me kredi nuk shitet ashtu që duhet me heq dorë prej stolive. Por, ka zëvendësime, ka buzhuteri, ka argjend dhe nusja do të jetë prap e stolisur megjithatë për me pas ari duhet pak më tepër”, tha Nexhmedin Bushi, artar.

Qytetarët thonë se stolitë janë bërë luks, mezi po i mbulojnë kushtet bazë për jetë.

“Njëher duhet me pas bukë me hangër, me pas mu vesh, me pas një jetë dhe ari vjen i fundit. Stoliset kush e di se çka a kur të shkon në shtëpi nuk ka ku të hyj brenda. Kjo, për mua është një budallaki e madhe”, tha një qytetar.

Pavarësisht çmimit të lartë të arit, disa qytetarë thonë se kurr nuk do të heqin dorë nga këto stoli.

“Për çdo vit çmimi i arit rritet megjithatë duke marë parasysh gjendjene përgjithshme dhe ekonominë vlerësoj se çmimi i arit është i përshtatshëm dhe asnjëherë nuk do të jetë më lirë. Unë vlerësoj se investoj në ar, ndoshta jo në pllaka ari por në stoli ari po. Zakonisht më shumë blej, nëse ndonjë stoli më dëmtohet ose nuk është më në trend vij dhe ndëroj me të re, kjo është më e mira. Për dhuratë? Gjithmonë vetëm ari, edhe sot erdha të blej një varëse për dhuratë”, u shpreh një qytetare.

Një gram ar për momentin shitet 72 euro. Artarët thonë se nuk pritet ulje e çmimit, përkundrëzi nuk përjashtohet mundësia që të shtrenjohet edhe më shumë./Alsat.mk