CMG: Subjektet e tregut të regjistruara, rritje me mbi 100 milion në 10 vjet

Foto: VCG

Numri i subjekteve të tregut të regjistruara në Kinë është rritur me mbi 100 milionë në dhjetë vjetët e fundit, njoftoi të hënën Grupi Mediatik i Kinës (CMG).

Deri në fund të gushti 2022, numri i këtyre subjekteve u shtua në 163 milionë, nga 55 milionë që ishte në fund të 2012, me një rritje mesatare vjetore 12 për qind, citon CMG-ja të dhënat nga Administrata Shtetërore për Rregullimin e Tregut.

Prej tyre, numri i ndërmarrjeve u rrit nga më tepër se 13 milionë në mbi 51 milionë, afërsisht sa numri i përgjithshëm i ndërmarrjeve në ShBA dhe BE të marra së bashku.

Numri i ndërmarrjeve me investime të huaja u shtua nga 441 mijë në 668 mijë, duke u shtuar më shumë se 50 për qind.

Me gjithë efektet e COVID-19, që nga viti 2020, numri i subjekteve kineze të tregut ka vazhduar të rritet, duke u shtuar me më shumë se 37 milionë dhe duke përbërë 35 për qind të rritjes së përgjithshme në dhjetëvjeçarin e kaluar.

Që kur Kina zbatoi reformën që përqendrohet në thjeshtimin e procesit të regjistrimit të subjekteve të tregut në mars 2014, renditja globale e saj lidhur me mjedisin e biznesit është ngjitur nga vendi i 96-të në të 31-tin. Përveç kësaj, renditja në lehtësinë për fillimin e një biznesi u ngrit nga vendi i 150-të në të 27-tin.

Si rrjedhojë, Kina është bërë një ndër ekonomitë me përmirësimin më të madh të mjedisit të biznesit në botë, vuri në dukje CMG-ja.(Artan)