City bën ofertën e dytë për Gvardiolin

Kampioni i Anglisë, Manchester City, ka bërë ofertën e dytë zyrtare për mbrojtësin Joshko Gvardiol, ka bërë të ditur “The Sun” të martën. Tabloidi anglez ka zbuluar se City i ka ofruar skuadrës së Leipzigut 90 milionë euro për kroatin, i cili po kërkohet me ngulm nga trajneri Pep Guardiola.

Te Leipzigu, ditë më parë, kanë pranuar se Gvardiol pritet të largohet këtë verë, por vetëm për një ofertë prej 100 milionë eurosh.

21-vjeçari është ndër mbrojtësit më të vlerësuar në Evropë, ndërsa po dëshiron ti bashkohet Cityt, ekip me të cilin ka marrëveshje në parim.

Megjithatë, Leipzigu ende nuk ka dhënë dritën e gjelbër, pasi më herët kishte refuzuar ofertën e parë të Cityt në vlerë prej 75 milionë eurosh. Ai ka kontratë me ekipin gjerman deri në verën e vitit 2027.