Cili shqiptar nga Tetova ka shkuar deri sot në Shqipëri për të futur përçarje lokaliste?

Fejzi Hajdari

Para se ta pyesish dikë se pse nuk ka bartës liste nga Tetova, duhet të pyesish në cilat zgjedhje deri sot BDI-ja ka pasur bartës liste nga Tetova. Nëse 18 vite nuk e ke parashtruar këtë pyetje, përgjigja dihet vetvetiu. Nëse këtë pyetje e parashtron dikush që tani e 15 vite shitet si “viktimë” e BDI-së, e sot hap tema të kota që shkojnë në favor të BDI-së, atëherë është shumë e qartë se çfarë “viktime” paska qenë.
Nëse ke aq principe të ngresh zërin në qiell se pse ASH-ja nuk paska bartës liste nga Tetova, e nuk të ka penguar bashkëpunimi me Lube Boshkovskin e Pavle Trajanovin, atëherë parimet e tua të qullafta nuk i bëjnë askuj përshtypje.

Mbi të gjitha, nëse vjen nga Shqipëria dhe tenton të përhapësh teza përçarëse lokaliste në Tetovë, atëherë është e qartë se kush të ka dërguar. Cili shqiptar nga Tetova ose nga Maqedonia ka ardhur deri sot në Shqipëri të përhapë teza përçarëse lokaliste? Deri sa asnjë tetovar, asnjë shqiptar nga Maqedonia deri sot nuk ka shkuar në Shqipëri për të futur përçarje të llojit pse PS ose PD nxjerr kandidat nga Elbasani, e nuk nxjerr nga Durrësi, nxjerr nga Vlora e nuk nxjerr nga Shkodra, duhet të jesh i marrë të presësh që tetovarët t’i besojnë argumeteve tua djallëzore për të futur përçarje lokaliste.
Po të shkosh edhe ti në Shqipëri për të perhapur teza lokaliste, menjëherë do të thonë “Rri o Llalla, mos na shit kopalla”.
Tetovarët janë imunë ndaj këtyre tezave përçarëse, sepse shumë më herët kësi lloj tezash kanë tentuar të përhapin pa sukses strukturat e shërbimeve sekrete sllave.