Chisora refuzon të pensionohet, përkundër disfatës dërmuese ndaj Tyson Fury

Boksieri britanik, Dereck Chisora nuk po planifikon akoma të pensionohet nga boksi profesionist.
Chisora pësoi një humbje ‘shkatërruese’ në duelin me Tyson Fury, në një prej meçeve më të njëanshme të para viteve të fundit.

Përkundër kësaj humbje, 38-vjeçari ka thënë se do të vazhdojë të luftojë akoma, duke mos u dorëzuar, ani pse shënoi humbjen e 13-të në karrierë.

“Jo, jo akoma, akoma jo”, ka thënë Chisora, i pyetur për pensionimin e mundshëm, përcjell lajmi.net.

“Do të pushoj pak, të relaksohem dhe të shoh se si ndihem. Nuk largohem kështu. Dua të shkoj në udhëtim për më shumë meçe. Do të shohim, nuk e di akoma. E shijova këtë”, shtoi britaniku.

Chisora u mposht në ‘Tottenham Stadium’ të Londrës nga rivali i njohur për të, Fury. Kjo ishte hera e tretë në po aq përballje që Chisora mposhtet nga Fury.