Chiellini thotë se do të jetë gati për ndeshjet e Italisë, dërgon mesazh edhe për Dybalan

Kapiteni i Juventusit dhe Italisë, Giorgio Chiellini ka thënë se do të jetë i gatshëm për ndeshjet play-off të Kupës së Botës që Azzurrët i luajnë këtë muaj dhe këshillon Paulo Dybalan të ndjekë shembullin e tij dhe të Leo Messit.

Mbrojtësi veteran foli për Sky Sport Italia, ku fillimisht u ndal te lëndimi i tij.

“Ndihem më mirë, kam qenë jashtë për një muaj, por jam duke punuar në fushë dhe java e fundit ishte e mirë”.

“Shpresoj se mund t’i rikthehem në stërvitje me grup në ditët në vijim”, deklaroi fillimisht ai.

Kjo do të thotë se ai do të kthehet me kohë për ndeshjet e play-offit të Kupës së Botës që Italia i luan në mars.

“Kështu mendoj; Në fakt, shpresoj se mund të ndihmoj edhe më herët”, nënvizoi ai.

Paulo Dybala do të jetë lojtar i lirë në fund të sezonit pasi që kontrata e tij do të skadojë dhe Juventusi ka shtyrë një takim me sulmuesin argjentinas i cili duhej të zhvillohej sot.

“Mendoj se gjëja më e rëndësishme është të fokusohemi në fushë, Leo Messi dhe unë fituam me Italinë dhe Argjentinën, pavarësisht se na skadonin kontrata në verë”.

“Këto situata janë të zakonshme në futbollin modern, gjëja më e mirë është të përqendrohesh në fushë”, deklaroi ai.

Chiellini dhe Messi udhëhoqën Italinë dhe Argjentinën për të fituar Euron dhe Kupën e Amerikës, duke ngritur trofeun dhe pasi kontrata e tyre me Juventusin dhe Barcelonën kishin skaduar.