Chelsea nuk heq dorë nga Leao, gati t’i shlyejë edhe borxhet

Chelsea nuk heq dorë nga Leao. Ndonëse u shpall “mbreti” i merkatos së dimrit me plot 326 milionë euro të shpenzuara, klubi londinez nuk do të ndalet as në verë.

Objektivi i radhës është pikërisht sulmuesi portugez i Milanit, i cili ka nisur prej muajsh negociatat për rinovimin me kuqezinjtë, por palët janë ende shumë larg një akordi.

Përplasja kryesore mes palëve është ajo e klauzolës për prishjen e kontratës, që Milani e synon 150 milionë euro, ndërsa Leao kërkon vetëm gjysmën e asaj shifre.

Gjithashtu edhe paga, pasi sulmuesi portugez synon që të kalojë nga paga prej 1.5 milionë eurosh që merr aktualisht në të paktën 6, ndërsa te Milani vështirë se mund të shkojnë përtej 5 milionëve.

Pikërisht nga kjo situatë kërkon të përfitojë Chelsea, që është gati jo vetëm të kënaqë pretendimet e sulmuesit, por edhe t’i heqë një barrë ekonomike atij.

Kështu londinezët i kanë premtuar menaxherit Mendes, se nëse Leao transferohet në “Stamford Bridge”, atëherë Chelsea do të paguajë edhe detyrimin e sulmuesit ndaj Sportingut të Lisbonës.

Kujtojmë që FIFA dënoi Leaon dhe klubin e Lille me 18 milionë euro dëmshpërblim ndaj Sportingut të Lisbonës, për mënyrën se si sulmuesi u transferua nga klubi portugez te ai francez.

Këtë shifër Leao është i detyruar ta paguajë bashkë me Lille, por 9 milionë euro portugezi nuk i ka ende në llogarinë e tij bankare, pasi te Milani merr një pagë modeste prej vetëm 1.5 milionë eurosh në sezon.