Chelsea i bashkohet skuadrave të mëdha në garë për Mykhaylo Mudryk

Mykhaylo Mudryk është njëri nga sulmuesit e rinj më të kërkuar në Evropë, falë paraqitjeve fantastike me Shakhtar Donetsk sezonin e fundit.

Sulmuesi ukrainas ka zgjuar interesimin e top klubeve evropiane dhe largimi i tij nga Shakhtar Donetsk gjatë janarit është mëse i mundshëm.

21-vjeçari vetëm këtë edicion në 24 ndeshje zyrtare ka shënuar 10 gola e ka asistuar në tetë të tjerë.

Chelsea është skuadra e fundit që është bashkuar në garë për transferimin e sulmuesit anësorë dhe Daily Mail shkruan se londinezët janë duke përgatitur një ofertë në drejtim të klubit ukrainas.

Megjithatë për të siguruar shërbimet e Mudryk duhet të shpenzohet një shumë e konsiderueshme, pasi Shakhtar nuk do ta lejoj lehtë largimin e tij.

Kampioni i shumëfishtë i Ukrainës ditë më parë ka refuzuar ofertën prej 60 milionë eurove të Arsenalit për xhevahirin e tyre.

Mediat në Ishull kanë raportuar se Shakhtar synon që të fitojë mbi 85 milionë euro nga shitja e Mudryk.

Në garë për lojtarin mbeten edhe skuadra tjera të mëdha si Arsenal, Newcastle United, Real Madrid, Borussia Dortmund dhe Paris Saint Germain.