Çfarë studiojnë më tepër shqiptarët në Gjermani?

Gjermania është një vend i preferuar për studentët nga Shqipëria e Kosova. Por çfarë vështirësish kanë ata e ku mund të interesohen për t’u orientuar aty? Ekspertja e DAAD-së, Antje Schlamm shpjegon për Deutsche Wellen.

“Nga Shqipëria kemi afër 2000 studentë, kurse nga Kosova kemi 2313 studentë. Këto janë shifrat aktuale të studentëve për vitin akademik 2017-2018. Si studentët nga Shqipëria ashtu edhe ata nga Kosova kanë një preferencë shumë të qartë në përzgjedhjen e degës studimore – rreth dy të tretat e tyre i gjen nga njëra anë tek shkencat inxhinierike dhe nga ana tjetër tek shkencat juridike e ato ekonomike e sociale, këto janë degët e zgjedhura për vitin akademik 2017-2018. Pastaj ka edhe disa dallime mes studentëve nga Shqipëria e Kosova, pra bëhet fjalë për ata që nuk studiojnë inxhinieri, shkenca juridike, ekonomik apo shkencat sociale. Tek ky çereku i fundit vihet re, se studentët shqiptarë gjenden më shumë në shkencat natyrore dhe mjekësi, kurse kolegët e tyre kosovarë studiojnë më shumë krahasimisht shkencat humane”, theksoi Antje Schlamm.

Sipas saj, ata që janë të interesuar për studime në Gjermani duhet të informohen shumë mirë si në portalin www.study-in-germany.de, por edhe në faqen online të DAAD-së.

“Këtu gjenden të detajuara të gjitha hapat, që nga përgatitja, nga përzgjedhja e degës, kushtet e pranimit në univeristetet gjermane, të dhëna praktike për jetën në Gjermani, si për gjetjen e apartamentit, të treguara në formë të përshtatshme për të rinjtë. Nëse je interesuar për studime master, ka mundësi të kesh një bursë studimi master të DAAD-së. Kusht janë rezultatet e shkëlqyera në studime. Informacione për këtë gjen në portalin www.funding-guide.de.”, thekson Antje Schlamm.

Lidhur me tarifa studentore, ajo thotë se në landin Baden-Vyrtemberg që nga viti 2017, studentët e huaj jo nga BE që vijnë për studime në Gjermani duhet të paguajnë një kuotë 1.500 Euro në semestër. “Në landet e tjera gjermane nuk e kemi këtë tarifë. Sigurisht ka një tarifë regjistrimi në universitete, afërsisht 100-300 Euro në semestër, që nuk është ndonjë tarifë e lartë, e brenda saj mund të jetë për shembull edhe qarkullimi urban për studentët.”, theksoi Ekspertja e DAAD-së, Antje Schlamm për DW.