Kompania hungareze e ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski edhe nën sanksionet e SHBA-ve arrin të fitojë dhjetëra mijëra euro në vit nga shërbimet e konsulencës, tregojnë të dhënat nga regjistri i kompanive hungareze, shkruan Kolegium.mk, njofton Portalb.mk.
Se kompania po operon në mënyrë të qëndrueshme me hyrje të rregullta tregon raporti i fundit i publikuar mbi llogarinë përfundimtare për vitin 2024. Regjistri i kompanive hungareze do t’i publikojë të dhënat nga llogaritë përfundimtare për vitin 2025 në muajin maj.
“Miku i mirë i ish-kryeministrit hungarez Viktor Orbán nga Maqedonia, Gruevski, një i dënuar që u arratis në Hungari në vitin 2018 dhe mori statusin e azilit, në verën e vitit 2021 vendosi ta themelojë kompaninë e tij të vogël në qytetin e vogël hungarez në rajonin e Pest, Pecs”, shkruan portali investigativ hungarez 444.hu.
Bëhet fjalë për kompaninë ICIC Kft., aktiviteti kryesor i së cilës janë shërbimet e konsulencës, e cila mbledh në bilancin e saj bankar me miliona forinta hungareze. Në njoftimin e “Open sanctions” qëndrojnë disa variacione të emrit të kompanisë, përfshirë këtu edhe ICIC LTD, e cila, përveç konsulencës, ka ofruar edhe shitje me shumicë të porcelanit, qelqit, produkteve për pastrim dhe organizim eventesh.
“Ai mund të ketë një klient fiks, sepse të ardhurat kanë ardhur në vitet e fundit, ndërsa vetë aktiviteti nuk është aspak me shpenzime intensive, prandaj ai mund të realizojë edhe një fitim të madh”, thuhet në lajmin e medias hungareze.
Në vitin 2024 ish-kryeministri i Maqedonisë ka fituar mbi 4 milionë forinta, ose rreth 11 mijë euro, ndryshe nga një vit më parë kur ka fituar 9.700 euro. Sipas të dhënave që i ka deklaruar, ai ka pasur shpenzime të vogla për kompaninë në vlerë prej 3.400 euro, që do të thotë se i kanë mbetur rreth shtatë mijë euro fitim. Nga këto, ai ka marrë 5 mijë euro si dividendë, kështu që gjatë 3 viteve të funksionimit të kompanisë shuma e përgjithshme e ish-kryeministrit ka arrirë në 16,7 milionë forinta, ose 45 mijë euro, shkruan 444.hu.
Raporti gjithashtu zbulon se edhe pse Nikolla Gruevski i ka tërhequr rregullisht pjesën më të madhe të fitimeve të kompanisë, në fund të vitit të kaluar në llogarinë bankare të kompanisë ka pasur rreth 8 milionë forinta.
“Por, një zhvillim krejtësisht i papritur është se kryeministri i dënuar jo vetëm që jep këshilla, por edhe me sa duket mund të marrë edhe kredi. Ai ka shënuar një borxh prej 2,52 milionë forintash, ose gjashtë mijë eurosh, në bilancin e tij”, thuhet në hulumtim.
Shërbimet e konsulencës së Gruevskit në Budapest i ka përdorur edhe ministri aktual i punëve të jashtme, Péter Szijjártó, i cili, sipas raportimeve të mediave hungareze, e ka pritur ish-kryeministrin e Maqedonisë në zyrën e tij dhe është konsultuar me të për çështje që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor. Sipas ministrit, Gruevski është ai nga i cili mund të marrë informacionin më të besueshëm për rajonin, pasi ka qenë kryeministër 10 vjet.
“Nëse duam të marrim informacionin më autentik rreth asaj që po ndodh në Ballkanin Perëndimor, si po zhvillohen proceset në Ballkanin Perëndimor, atëherë me kë do të flisnim nëse jo me një person që ka qenë kryeministër atje për 10 vjet? Dhe po, bisedojmë me të rregullisht. Nuk ka rëndësi se ku. Për shembull, unë bisedoj me të në zyrën time në Ministri. Dhe mendoj se është e natyrshme që zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të jenë në kontakt me një person që ka qenë kryeministër i vendit të tij për 10 vjet”, tha Szijjártó në parlamentin hungarez pas kritikave për takimet e tij me Gruevskin.
Për shkak të mënyrës së qeverisjes së tij Gruevskiu gjend në listën e zezë në prill të vitit 2022. Arsyeja ishte aktgjykimi kundër tij dhe akuzat për raste të shumta korrupsioni, si dhe për shpërdorim të detyrës zyrtare, pastrim parash dhe krime të tjera që lidhen me kohën e tij si Kryeministër i Maqedonisë së Veriut nga viti 2006 deri në vitin 2016.
“Ai i është shmangur vazhdimisht arrestimit për dënimin e tij të vitit 2018 nga gjykata në Maqedoninë e Veriut për akuza që lidhen me korrupsionin, gjë që paraqet një goditje serioze ndaj përgjegjësisë për korrupsionin dhe aktivitetet që lidhen me korrupsionin në Maqedoninë e Veriut. Gruevski është pronar dhe drejtor i kompanisë hungareze I.C.I.C. KFT, e cila është e regjistruar si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar në Hungari”, thuhej në njoftimin për sanksionet nga Departamentit i financave të SHBA-ve.
Sipas njoftimit në listën e zezë është futur edhe kompania e tij.
Ndërkohë, përkujtojnë mediat hungareze, atdheu i tij shiti një pjesë të pronës së konfiskuar. Shteti i sekuestroi apartamentet si pjesë e vendimit gjyqësor në rastin “Parcelat në Vodno”, për të cilin Gruevski u dënua në mungesë me 9 vjet burg, sepse, siç thuhet në vendim, ai përdori para nga donacionet e VMRO-DPMNE-së (mbi 1,3 milion euro) për të blerë pronë përmes një kompanie offshore.
Herën e fundit që Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë ka kërkuar ekstradimin e Gruevskit ka qenë në vitin 2019, për të gjitha rastet kundër tij dhe për të cilat ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar. Kjo në fakt ishte një plotësim i kërkesës së dërguar në vitin 2018.
Atëkohë autoritetet hungareze zyrtarisht e kanë njoftuar Maqedoninë se nuk do ta ekstradoninGruevskin. Këtë vendim e mori Gjykata Supreme Rajonale me arsyetimin se nuk ishin përmbushur parakushtet ligjore për ekstradimin e Gruevskit, sepse me kërkesën e tij atij iu dha azil në Hungari dhe “në përputhje me Aktin nr. 38 për Ndihmën Juridike Ndërkombëtare në Çështjet Penale, një person të cilit i është dhënë azil nuk do të ekstradohet në vendin nga i cili është arratisur”.
Pas deklaratave të fundit të kryeministrit të ardhshëm hungarez Peter Magyar, i cili fitoi në zgjedhjet e 12 prillit, se nuk ka vend për kriminelë ndërkombëtarë në Hungari, Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë njoftoi se kishte kërkuar informacion nga gjykatat në lidhje me Gruevskin, në mënyrë që të vazhdonte më tej.
Kryeministri aktual i Maqedonisë, Hristijan Mickoski, tha se nëse Gruevski kthehet në vend ai do të përfundojë në burg. Lidhur me ekstradimin e mundshëm, në deklaratën e tij të fundit kryeministri tha se i arratisuri fillimisht duhet tahumbasë statusin e azilantit në Hungari.
“Në rastin tonë, ish-kryeministri ka azil. Për të dërguar një kërkesë për ekstradim, duhet të ndiqet së pari një procedurë, për ta tërhequr statusin e azilantit. Kjo është gjëja e parë. Nëse e dërgojmë tani, do të marrim një përgjigje negative. Mund ta dërgojmë nesër, pa problem, por le t’i shohim gjërat në një mënyrë më substanciale”, tha Mickoski më 17 prill.
Gruevski u arratis në nëntor të vitit 2018, pak para datës kur duhej të hynte në burg për të vuajtur një dënim dyvjeçar me burg për rastin “Tanku” për blerjen e paligjshme të Mercedesit të blinduar. Ekzekutimi i këtij dënimi vjetërsohet në vitin 2024.
Për momentin kundër tij ka dy vendime të plotfuqishme. Njëri është dënimi i lartpërmendur me nëntë vjet për lëndën “Parcelat në Vodno”, i cili vjetërsohet në shkurt të vitit 2043, ndërsa i dyti për rastin “Dhuna në Qendër”, ku ai është dënuar me një vit e gjysmë, e që vjetërsohet në shtator të vitit 2027.
Raste aktuale gjyqësore në të cilat po gjykohetGruevski në mungesë janë “Titaniku” për parregullsi zgjedhore dhe “Talir 2” për ndërtimin e paligjshëm të selisë së VMRO-DPMNE-së.



