Shkruan: Naser Pajaziti
Pas deklaratës së kryeministrit të ri hungarez Peter Magyar se Hungaria “nuk do të mbajë kriminelë” dhe se personat që kanë kryer vepra penale do të kthehen në vendet nga vijnë, është rihapur çështja e statusit të ish-kryeministrit Nikola Gruevski, i cili tashmë tetë vite jeton në Budapest me azil politik.
Deklarata e Magyarit e vendos drejtpërdrejt Gruevskin në fokus, por realiteti juridik është dukshëm më kompleks.
Azili që iu dha Gruevskit në vitin 2018 bazohet në vlerësimin se ai është viktimë e përndjekjes politike dhe se jeta dhe liria e tij do të ishin të rrezikuara nëse kthehet në Maqedoninë e Veriut.
Sipas ligjit hungarez dhe atij ndërkombëtar, një status i tillë mund të hiqet vetëm nëse pushojnë arsyet mbi të cilat është dhënë – pra nëse nuk ekziston më rreziku nga përndjekja politike apo kërcënimi ndaj sigurisë.
Azili mund të revokohet edhe nëse personi kryen një vepër të rëndë penale ose paraqet kërcënim për sigurinë kombëtare të Hungarisë. Megjithatë, kjo nuk është një procedurë automatike, por një proces i ndërlikuar juridik që zhvillohet para organeve të migracionit. Personi ka të drejtë mbrojtjeje, ndërsa vendimi mund të ankimohet në gjykatë.
Edhe në rast të heqjes së azilit, deportimi nuk mund të realizohet nëse ekziston rrezik real për gjykim të padrejtë, përndjekje politike ose torturë në vendin e origjinës. Deri më tani dihet se autoritetet aktuale të Shkupit nuk ka bërë kërkesë ekstradimi, përpos asaj të të 2018 që ishte refuzuar nga pushteti i ‘jaranit’ të tij, Orban.
Edhe pse deklarata e Magyarit krijon një moment të ri politik, vendimi përfundimtar për fatin e Gruevskit do të varet nga një procedurë e gjatë dhe komplekse ligjore.
Gjatë viteve, disa herë është spekuluar për një kthim të mundshëm të Gruevskit, por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Interesi i fundit i madh u shfaq pas ndryshimeve në Kodin Penal, me të cilat disa nga rastet kundër tij u parashkruan. Presion shtesë paraqet edhe fakti se që nga viti 2022, Gruevski ndodhet në listën e zezë amerikane për shkak të dyshimeve për korrupsion të konsiderueshëm. Pavarësisht kësaj, ai vazhdoi të jetojë dhe punojë në Hungari, ku ka edhe një kompani të regjistruar.
Në këtë kontekst, edhe qëndrimi i sotëm i kryeministrit Hristijan Mickoski se ai do shkoj në burg nëse kthehet, mbetet në kuadër të një deklarate politike, duke nënkuptuar se çdo veprim eventual do të varej nga zhvillimet institucionale dhe nga fakti nëse do të paraqitej një kërkesë për ekstradim, e cila do të aktivizonte procedurat përkatëse ligjore. Kjo e lë çështjen të hapur mes retorikës politike dhe mekanizmave juridikë që do të vendosnin për hapin e radhës?
Por, pas gjithë këtij debati, protagonisti Gruevski kësaj radhe ka heshtur, ndryshe nga herat e tjera kur ishte “kujdestar” në rrjetet sociale sa herë që i lakohej emri.



