Çdo banor vitin e kaluar ka krijuar nga 452 kilogramë mbeturina në RMV

Çdo banor në vitin 2020 ka bërë 452 kilogramë mbeturina komunale, që është rritje prej katër kilogramësh në krahasim me vitin 2019 ose edhe deri 68 kilogramë më shumë në krahasim me vitin 2016. Nga gjithsej 913 mijë tonë mbeturina komunale të krijuara, rreth dy të tretat ose 630 tonë u grumbulluan dhe përfunduan në deponi. Shumica e mbeturinave të prodhuara dhe të ricikluara janë prej letre, tregon statistika vjetore e Entit Shtetëror të Statistikave për gjendjen demografike dhe socio-ekonomike në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitin 2020, transmeton Portalb.mk.

Mbetjet komunale përfshijnë mbetjet shtëpiake, duke përfshirë mbetjet e mëdha, mbetjet e ngjashme nga aktivitetet komerciale dhe tregtare, ndërtesat, institucionet dhe bizneset e vogla, mbetjet nga oborret dhe kopshtet, mbeturinat e rrugëve, përmbajtjen e kontejnerëve të mbeturinave dhe mbetjet nga pastrimi i tregjeve.

Gjithsej, në vitin 2020 janë krijuar 913.033 ton mbetje, ndërsa janë grumbulluar 630.086. Nëntëdhjetë e nëntë për qind e mbetjeve të grumbulluara, siç tregon statistika, është hedhur në deponi. Mbetet diferenca midis mbetjeve të krijuara dhe atyre të grumbulluara, e cila është 282.947 ton mbetje, e cila nuk përfshihet mes mbetjeve që përfunduan në deponi.

Mbetjet komunale të gjeneruara për vitin 2020 janë më pak se në vitin 2019, kur ishin 915.943 tonë, megjithatë përsëri kanë linjë në rritje, ndryshe nga viti 2016, kur ishin 796.585 tonë.

Mbetjet e grumbulluara, nga ana tjetër, shënuan rënie të lehtë me 2.398 ton mbetje më pak të grumbulluara në krahasim me vitin 2019, kur mbetjet e grumbulluara ishin 632.484. Megjithatë vërehet rritje në krahasim me vitin 2016, kur ishin 610.227 ton.

Hedhja e mbeturinave të grumbulluara në deponi është në përqindje të njëjtë krahasuar me vitin e kaluar, si dhe me vitin 2016 dhe është 99 për qind.

Sasia më e madhe e mbetjeve të lëshuara në tregun e brendshëm për vitin 2020 është në formën e letrës dhe kartonit, gjithsej 26.308 tonë. Për rrjedhojë, sasia më e madhe e mbetjeve të ricikluara për vitin 2020 është letra dhe kartoni në masën 24.654 tonë ose 82 për qind.

Plastika e lëshuar në treg ka 5.699 tonë më pak se letra dhe kartoni, gjegjësisht 20.609 ton, përderisa, e njëjta riciklohet në masën 6.396 tonë ose 31 për qind.

Pas tyre qëndron xhami me 11.577 tonë volum tregu, ndërsa 3.781 ton, gjegjësisht 32 për qind riciklim.

Sasia e drurit të lëshuar në treg në vitin 2020 është 913 ton, metali 3.918 dhe materialet e përbëra 3.766. Prej tyre, druri është ricikluar në sasinë 527 tonë, përkatësisht pesë për qind, metali 955 tonë ose 24 për qind, ndërsa për materialet e përbëra nuk ka të dhëna.

Në vitin 2019, sasia e mbetjeve të lëshuara në tregun vendas është 6.284 tonë më shumë se në vitin 2020, gjegjësisht 85.718, përderisa mbetjet e ricikluara në të njëjtin vit janë 351 tonë më pak se në vitin 2020, përkatësisht 34.229 ton.

Gjithsej, në vitin 2020 sasia e mbeturinave të lëshuara në treg është 79.434 ton, ndërsa janë ricikluar 34.580 ton, që përbën vetëm 43.53 për qind pjesë të ricikluar.