Carovska tërheq “Gjeografinë” që ofendonte shqiptarët, 4 ministra të BDI-së nuk ia dolën ta bëjnë një gjë të tillë

Libri me përmbajtje skandaloze dhe ofenduese për shqiptarët “Gjeografia” prej sot tërhiqet prej përdorimit.

Zëvendës kryeministri Artan Grubi përmes një njoftimi në Facebook ka bërë të ditur se, vendimin për tërheqjen e këtij teksti shkollor nga përdorimi e ka sjellë Komisioni për dhënien e propozimeve për tërheqje nga përdorimi të librave të miratuar.

Grubi, me këtë rast publikisht ka falënderuar ministren aktule të Arsimit Mila Carovska dhe ish ministrin Arbër Ademi për bashkëpunimin dhe kontributin.

“Për këtë vendim unë shpreh falënderim për ministren e Arsimit, znj. Мила Царовска dhe ish ministrin e deputetin aktual z. Arbër Ademi për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë në këtë drejtim. Punët e përbashkëta gjithmonë kanë dëshmuar sukses, andaj do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm që të vendosim funksionalitet në sferën e arsimit”‘ shkruan Grubi.

Libri i Gjeografisë që ofendon shqiptarët ka qenë në duar të nxënësve nga viti 2002. Prej atëherë ministrinë e Arsimit në Maqedoni e kanë udhëhequr katër ministra të BDI-së, por asnjëri s’ka pasur mundësi ta tërheq librin me përmbajtje skandaloze që konteston origjinën e shqiptarëve.

Aleanca për Shqiptarët ka djegur faqet e “Gjografisë” fyese dhe ka paralajmëruar padi për autorët e saj.