Çarmatosja e veriut duhet të ndodhë patjetër / Ky është paralajmërimi për institucionet e vendit!

Serbia po vazhdon ta kërcënojë Kosovën me deklarata të shumta, duke synuar të shkaktojë frikë dhe pasiguri politike.

Së fundi ka kërcënuar figura proruse, ministri i Brendshëm i Serbisë Aleksandër Vulin, duke kërkuar krijimin e ‘botës serbe’, nëpërmjet tezës, se të gjithë serbët duhet të jetojnë në një shtet.

Ndaj këtyre qëndrimeve ka reaguar menjëherë ambasada amerikane në Beograd, duke ia kujtuar që këto qëndrime janë kundër Marrëveshjes së Dejtonit, frymës së integrimit në BE dhe sundimit të paqes.

Në Kosovë deklaratat e tilla në opinion injorohen krejtësisht pasi e shohin vetën të mbrojtur nga KFOR-i.

Mirëpo serbët, dhe kriminelët e tyre po vazhdojnë të jetojnë të lirë në Serbi, por edhe në veri të Kosovës, dhe po e kërcënojnë Kosovën me konflikt dhe mbase me pushtim.

Disa nga liderët që kanë kërcënuar dhe po vazhdojnë ta kërcënojnë Kosovën janë Daçiqi, Vulini, Vuçiqi siç bënte ‘mësuesi’ i tyre Shesheli.

Një marrëveshje Kosovë-Serbi ende duket larg, dhe ajo bëhet më e largët për aq kohë sa vazhdojnë deklarimet e këtilla në Serbi, të cilat janë programe dhe strategji shtetërore e saj.

Një aksion i shpejtë i policisë dhe prokurorisë në Shtërpcë, për heqjen e kamerave me të cilat Serbia i kontrollonte lëvizjet e të gjithëve atje, gjetja e dosjeve serbe, dëshmitë për aktivitete të strukturave ilegale, ishin sinjal, se gjëra të tilla, por në shkallë shumë të rrezikshme, ndodhin në veri të Kosovës.

Besohet, dhe sipas veprimeve në shumë raste dhe informacioneve, se në veri strukturat paralele, por edhe qytetarët serb janë shumë të armatosur. Sulmet e armatosura ndaj policisë së Kosovës në veri, për disa ditë rresht, kërcënimet me armë, gjatë bllokimit të rrugës, dhe krimet e rënda atje për vite të tëra, si dhe informacionet interne e konfirmojnë praninë e sasive të mëdha të armatimit.

Sigurisht bazuar në një shkallë të lart armatimi të serbëve, i kërkuari nga drejtësia për krime, Millan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe, paralajmëroi konflikt të hapur me Kosovën, ditët në vijim, duke e bërë të qartë se nuk e ka ndërmend të dorëzohet ai, dhe duke u bërë thirrje që ta mbrojnë misionin e strukturave paralele.

Kjo paraqet kërcënim të lartë për sigurinë e vendit tonë dhe një operacion për ta çarmatosur veriun, shihet si e vetmja mënyrë që do të mund të asgjësonte rrezikun aktual për konflikt.

Shala: Shteti i Kosovës duhet gjithmonë të jete në gjendje që ta shtrijë autoritetin e shtetit në atë pjesë të vendit

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, flet eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Ai u shpreh se mbajtja e armëve të serbëve në Kosovë ka synim të jetësojnë interesat e shtetit serb në atë pjesë.

“Situata në lidhje me armët e ndryshme, të cilat qëndrojnë në duart e grupeve kriminale në veri të vendit por edhe të qytetarëve nga komuniteti serb, ku dihet që Policia e Kosovës edhe në të kaluarën kur ka kryer operacione në luftimin e krimit ka hasur në rezistencë nga këto grupe dhe nga armët që ata i posedojnë dhe që kryesisht furnizohen nga territori i Shtetit serb dhe kjo e involvon drejtpërdrejt strukturat shtetërore të Serbisë të cilët tentojnë përmes “mosndëgjueshmëri” qytetare të jetësojnë interesat e shtetit serb në atë pjesë”, u shpreh ai.

Më tej, eksperti thekson që shteti i Kosovës duhet ta shtrijë autoritetin e shtetit në atë pjesë dhe të konfiskojë armët ilegale.

“Pra shteti i Kosovës duhet gjithmonë të jete në gjendje që ta shtrijë autoritetin e shtetit në atë pjesë duke garantuar që të respektohen parimet ligjore. Konfiskimi si dhe asgjësimi i armëve ilegale është detyrë e policisë së vendit në rast se ata hasin në arme gjatë kryerjes së detyrave që kanë”, thekson eksperti i sigurisë.

Nga ana tjetër Shala thotë që marrja e ndonjë aksioni eventual në këtë kohë mund të ketë edhe efekt irritues që mund të prodhojë prishje të ndonjë plani më të gjerë strategjike në atë pjesë.

“Marrja e ndonjë aksioni eventual në këtë kohë mund të ketë edhe efekt irritues që mund të prodhojë prishje të ndonjë plani më të gjerë strategjik në atë pjesë, që mund të kenë planifikuar strukturat e sigurisë dhe kështu duhet pritur dhe duhet të mblidhen informacione relevante për personat, të cilët kanë armë në pronësi dhe janë ilegale që në një hapësirë eventual të intervenohet dhe të konfiskohen këto armë”, nënvizoi eksperti i sigurisë, Drizan Shala për “Bota sot”.

Duhanaj: Çështja e çarmatosjes qoftë e popullsisë së thjeshtë, qoftë edhe e strukturave paralele, apo edhe grupeve kriminale në veri, është komplekse

Ndërsa analisti politik, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që çështja e çarmatosjes është tejet komplekse dhe se duhet të trajtohet me kujdes.

Sipas tij një gabim i vogël mund të shkaktoj problem që nuk do të mundet as Qeveria e Kosovës t’i kontrolloj.

“Çështja e çarmatosjes qoftë e popullsisë së thjeshtë, qoftë edhe e strukturave paralele, apo edhe e grupeve kriminale në veri, është tejet komplekse dhe si e tillë duhet të trajtohet me kujdes. Kjo pasi që mbi të gjitha problemi është politik dhe si i tillë, nuk menaxhohet as nga Qeveria e Republikës së Kosovës, as nga qytetarët lokal, sa menaxhohet apo kontrollohet nga mekanizmat e shtetit të Serbisë. Në ketë kontekst çdoherë duhet pasur parasysh çfarë nëse? Dhe mbi këtë premisë edhe të operohet. Si masë kolektive do të funksiononte me një amnisti të përgjithshme ku do të dorëzoheshin armët me vullnet duke marrur si kompensim masat mosndeshkuese”, thotë ai.

Por analisti propozon disa mënyra që mund të sjellin në çarmatosjen e suksesshme të serbëve.

“Mirëpo, për ta bërë një gjë të tillë, së pari kërkohet lojalitet qytetar gjë që nuk e kemi. Varianti tjetër është bastisja e shtëpive dhe lokaliteteve. Ky variant duhet të jetë i përhershëm, por të bëhet me kujdes pasi që siç dihet në veri mund të ndodhin organizime të shpejta masive dhe të eskaloj situata. Pra, është temë tejet komplekse e cila duhet të trajtohet me kujdes, por që do zgjidhje me patjetër”, përfundoi analisti Leon Duhanaj për “Bota sot”.