Capital T takohet me futbollistin legjendar Ronaldo

Reperi i njohur shqiptar, Capital T, ka pasur fatin të takohet me një prej idhujve të tij të fëmijërisë, legjendën e futbollit brazilian, Ronaldo Nazario.

Ai ka shpërndarë në rrjetin social Instagram një fotografi të përbashkët me ish-sulmuesin e famshëm, duke shijuar momentin e takimit të tyre.

Në postimin e tij, Capital T ka zgjedhur të ndajë jo vetëm këtë kujtim të veçantë, por edhe të rikujtojë momentin kur Ronaldo kishte vizituar Kosovën pas luftës së vitit 1999.

Fotografia, të cilën ai ka etiketuar me mbishkrimin “Kënaqësi të takoj R9, heroin tim të fëmijërisë, një prej më të mirëve në fushë dhe jashtë saj, ai e vizitoi Kosovën kur ishte në kulm të karrierës së tij e kjo është një arsye tjetër pse akoma e gëzoj të njëjtën dashuri e respekt për të. Faleminderit Ronaldo 🙏🏻 vazhdo të jesh i mrekullueshëm. Dhe shihemi së shpejti miku im në një kosovë shumë më ndryshe”, shpreh mirënjohjen dhe respektin e thellë për figurën e Ronaldos.

 

Ronaldo, i njohur si R9, është nderuar jo vetëm për talentin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e lojës, por edhe për kontributin humanitar jashtë saj. Vizita e tij në Kosovë në kulmin e karrierës së tij tregon empatinë dhe solidaritetin e tij me njerëzit në nevojë.

Capital T nuk ka hezituar të ndajë këtë ngjarje me ndjekësit e tij, duke e cilësuar takimin si një nga momentet më të lumtura dhe frymëzuese. Postimi i tij ka marrë një sërë reagimesh pozitive dhe komentesh të entuziazmuara nga fansat, që e shohin si një sinjal të lidhjes së thellë midis sportit dhe muzikës. /Telegrafi/