Çair, vazhdon vendosja e barrikadave në bulevardin “Cvetan Dimov”

Autoritete kanë vazhduar vijën me barrikada të betonit përgjatë bulevardit “Cvetan Dimov” në Komunën e Çairit, transmeton Alsat. Vendosja e këtyre barrikadave kishte filluar qysh në maj të vitit të kaluar nën bashkëpunimin e Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Çairit. Autoritetet thonë se vendosja e këtyre barrikadave mundëson lehtësimin e lëvizjes për këmbësorët dhe makinat dhe se të njëjtat do t’i japin fund kaosit në trafik në këtë pjesë të qytetit.

Kryetari i komunës së Çairit Visar Ganiu ka reaguar në rrjetin social fejsbuk pas vendosjes së murit të betonit në bulevardin “Cvetan Dimov”.

Sonte vazhduam me vendosjen e bankinave të betonit edhe në pjesën tjetër të Bulevardit “Cvetan Dimov”në Komunën tonë.

Kjo është vetëm një zgjidhje e përkohshme deri në realizimin e projektit për autobusët e shpejtë, të cilin para disa ditëve e paralajmëroi Qyteti i Shkupit.

Lehtësimi i qarkullimit nëpër rrugët e Komunës së Çairit është prioriteti ynë.

Implementimi i projekteve efikase të komunikacionit bëhet me të vetmin qëllim të kemi rrugë pa kaos dhe qytetarë të sigurtë.

Aksioni i sotëm është në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit.”, ka shkruar Ganiu.

Për vendosjen e barrikadave në Çair ka reaguar ashpër sekretari i Përgjithshëm i Altnernativa, Bekim Saliu.

“Visar Ganiu e “pobratimi” i tij Petre Shilegov duhet ta dinë se në këtë “grykë” qarkullojnë rreth 100 mijë qytetarë, shumica shqiptarë, e që janë taksapagues si gjithë të tjerët që jetojnë në Shkup. Pra, edhe ata meritojnë trajtim të barabartë sikurse bashkëqytetarët e tyre maqedonas. Ne banorët e Çairit nuk kemi nevojë dikush të na vendose “në kollosek”. Ne kemi nevojë të kemi rrugë e bulevarde sikurse të tjerët. Ky është nënçmim dhe manifestim i paaftësisë së Visar Ganiut dhe Petre Shilegovit ndërsa në vepër është ofendim i paparë ndaj shqiptarëve.
Drejtuesit e institucioneve duhet të ofrojnë zgjidhje – zgjerim të rrugëve dhe jo të na ndërtojnë këtu mure të turpit.
Visar, ti nuk gjete asnjë zgjidhje tjetër efektive dhe funksionale për këtë problem, por lejon nënçmimin e popullatës që duhet ta përfaqësosh me dinjitet!
Diku bulevarde e diku mure të turpit.
Mjaft më me këtë nënçmim!” – shkruan sekretari i pëgjithshëm i Alternativës, Bekim Saliu.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dega Çair, Zudi Koka nëpërmes “Facebook”, ka reaguar pas vazhdimit, zgjatjes së barikadës në rrugën “Cvetan Dimov”, në lagjen Çairçanja.

Sipas Zudi Kokës betoni është turp dhe fyerje ndaj shqiptarëve!

Koka më tej i kujton kryetarit Ganiu se të vendosësh murë betoni në mes të shekullit 21 për të vendosur rend në lëvizjen e qytetarëve është turp dhe fyerje klasike e intelegjencës së votuesve po edhe të qytetarëve të Çairit, njofton News33.

“Ky mur që ju po vendosni pos që shfaq dështimin dhe katandisje e Komunës me beton gjithandej shpërfaq edhe një realitet tjetër, dështimin e këtij sistemi për të siguruar funksionim të rendit dhe ligjit. Reagimi i qytetarëve që kur keni filluar vendosjen e këtij muri ishte I ashpër dhe vazhdon të jetë i njëjtë por reagimi qytetar nuk ju ka zmbrapsur nga kjo ide. Vazhdoni me këtë turp, shqiptarët nuk meritojnë një fyerje si kjo. Për fund një këshillë vëllazërore, nuk është turp të gabosh sepse jemi njerëz dhe të gjithë gabojmë, por turpi i botës është kur gabimin e mbroni dhe tentoni ta shisni si arritje”, ka shkruar Koka.