Bun: Ekziston rreziku i ndarjes së Maqedonisë dhe Shqipërisë

“Nëse nuk ndodhin ndryshime kushtetuese, ka mundësi që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të ndahen në rrugëtimin e tyre në planin e integrimeve evropiane”.

Ky paralajmërim është bërë nga sekretarja shtetërore franceze përgjegjëse për Evropë, Laurence Bun në një intervistë për MIA.

“Tani e ardhmja e hapjes së negociatave për anëtarësim është në duart e Kuvendit dhe Maqedonia ka të drejtë sovrane të vendosë se çfarë dëshiron. Por ne shpresojmë që kjo të ndodhë, që vendi të anëtarësohet në familjen e BE-së dhe shpresojmë që Maqedonia dhe Shqipëria të vazhdojnë të jenë liderë, ashtu siç kanë qenë në vitet e kaluara. Është e qartë se ekziston rreziku i ndarjes nëse amendamentet kushtetuese nuk miratohen para fundit të vitit”, thotë zyrtarja e lartë franceze

Edhe më parë u përmend se është e mundur që Maqedonia dhe Shqipëria të ndahen në rrugën drejt BE-së. Por, presidenti maqedonas Stevo Pendarovski së fundi deklaroi se nuk është optimist për ndryshimet kushtetuese.