Bullgaria pret “hapa konkretë dhe garanci” nga Shkupi për heqjen e vetos

Kur shohim hapa konkretë dhe garanci nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut se çështjet nuk vonohen, por zgjidhen, ne jemi të gatshëm të pajtohemi për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, tha zv. ministri bullgar i Jashtëm Vasil Georgiev pas takimit trepalësh të sotëm në Athinë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Georgiev në takim mori pjesë së bashku me homologen e tij rumune Daniela Grigore Gitman dhe nikoqirin, ministrin alternativ të Punëve të Jashtme të Greqisë Miltiadis Varvitsiotis, njofton AIM nga Athina.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarve në lidhje me veton e Bullgarisë për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, Georgiev iu referua fjalës “veto”, duke thënë se donte të sqaronte se Sofja “nuk ra dakord për një datë për konferencën e parë ndërqeveritare për të miratuar kornizën negociuese”.

Ai tha se Bullgaria mbështet integrimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE, por konkretisht nga vendi “kërkon hapa dhe garanci konkrete”.

“Ka disa hapa që duhet të ndërmerren nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në fushën e përmbushjes së obligimeve të tyre, në përputhje me Marrëveshjen tonë të vitit 2017 për marrëdhënie të mira fqinjësore. Ne do të donim disa hapa konkretë dhe do të shihnim disa garanci që çështjet mes dy vendeve fqinje nuk do të shtyhen, por po përpiqen të zgjidhen. Kur të shohim hapa konkretë dhe garanci, ne jemi të gatshëm të biem dakord për konferencën e parë ndërqeveritare”, tha Georgiev.

Varvitsiotis dhe Grigore Gittmann shprehën gjithashtu mbështetje për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor në fjalimet e tyre.