Bullgarët me një veto po e ndryshojnë kushtetutën, shqiptarët me luftë u bënë “popull 20 për qind”

Fejzi HAJDARI

Kushtëzimi ose Veto-ja, nuk është mekanizëm i lavdëruar në betejat politike, por te rasti i ‘vetos bullgare’, po tregon se ndonjëherë është mekanizëm mjaft efikas, e gjykuar sipas deklaratës së fundit të kryeministrit Zaev, do të rezultojë me përfshirjen e bullgarëve në aktin më të lartë normativ, Kushtetutë.
Pra, me një veto nga distanca-Sofja, bullgarët po e ndryshojnë Kushtetutën e Republikës Veriore të Maqedonisë (RVM), kurse shqiptarët me luftë në 2001-shin, arritën të bëhen popull “20 për qind” në Kushtetutë. Dmth mekanizmi politik i kushtëzimit, vetos, është efikas ne rrethana dhe situata të caktuara politike, gjë të cilin shqiptarët e këtushëm edhe sot e kësaj dite, nuk po dinë (ose nuk po duan) ta shfrytëzojnë, fatkeqësisht. Madje-madje edhe më keq, një pjesë e lidershipit shqiptarë po bëhen edhe më maqedonas se kryeministri Zaev, duke tentuar të bëjnë avokatinë e RMV-së kundrejt shteteve fqinje. Çdo koment këtu do të ishte i tepërt. S’ka se si të kuptohet kjo sjellje përveç si mungesë e sensit minimal për rrethanat dhe aktualitetin historiko-politik, në të cilin sot po kalojnë shqiptarët.
Rrjedhimisht, faktorit politik shqiptar të këtushëm ose i mungon vizioni për zgjidhjen e problemeve shqiptare, të cilat nuk po arrijnë t’i zgjidhin tanimë 3 dekada me radhë, ose janë të zënë për bishti, që për problemet vitale kombëtare, nuk po guxojnë ta kushtëzojnë faktorin politik maqedonas. Nëse nuk dinë se si, atëherë ‘vetoja bullgare’ le t’ju shërbejë si model (shembull). Bullgarët për 24 orë e aktualizojnë ndryshimin e Kushtetutës së RMV-së, shqiptarët për 30 vite vazhdojnë të merren me tender, dhe rivalitetet absurde: “…u punësuan kaq, nuk u punësuan aq! Tmerr, mjerim…

Çështja shqiptare nuk zgjidhet vetëm me punësime, qoftë edhe nëse arrihet 25 përqindëshi zyrtar në institucione shtetërore, e lëre më me 12-13 për qindëshin aktual. Aq më pak çështja shqiptare mund të zgjidhet me sistematizimin e personave që janë punësuar para 10, e më tepër viteve (vetëm te shqiptarët e Maqedonisë ka politikanë që lavdërohen se sistemuan kaq ose aq administratorë, e për këtë madje marrin lëvdata edhe nga akademikë shqiptarë).

Të mos keqkuptohemi, punësimet dhe përfaqësimi adekuat janë element krucial, por ajo është e drejtë natyore – kaq jemi, kaq kontribuojmë, kaq duhet të punësohemi. Aty nuk ka, dhe nuk mund të ketë politikë. Ne duhet ta flakim njëherë e përgjithmonë logjikën se “dikush po na punëson”, dhe se për këtë i kemi borxh dikujt! Ne duhet ta shohim realitetin, se nuk kemi marrë as gjysmën e asaj që na takon në sferën e punësimit. Duhet ta kërkojmë edhe gjysmën tjetër që na takon, e jo tua puthim edhe këpucët e atyre që madje na kanë marrë ryshfet, për të realizuar të drejtën e punësimit.
Sepse në këtë mënyrë kemi krijuar hapësirë që faktori politik shqiptar gjatë 20 viteve të fundit, ta zhbëjë Çështjen shqiptare, duke marrë pjesë në qeveri me anë të kushtëzimit për tenderë dhe marrjen e “një ministrie të fortë”. Prandaj sot, askush nuk i përmendë këto çështje madhore kombëtare, por merren më çështje triviale: Ma jep mua kete ministri, e une ty ta votoj edhe stemën me luan, bile edhe librat ku thuhet se shqiptarët e kanë prejardhjen prej romëve, çerkezëve, turqëve!!!.

Edhe nëse bëhem i mërzitshëm, prapë po e them: Mësohuni nga vetoja bullgare dhe jo nga pazaret për ministri dhe tenderë. E përsëris edhe një herë, mund ta them edhe 100 herë, se vetoja dhe kushtëzimi nuk janë modele të preferuara, por të domosdoshme kur nuk funksionojnë modelet tjera.
Derisa kjo praktikë (filozofi politike) nuk ndryshon, ju betohem kot së koti bëheni pjesë të qeverive maqedonase… Lufta e vitit 2001, fatkeqësisht është djegur si “xhoker” nga vetë rrahagjoksit e kësaj lufte. Duhet menduar mirë se çfarë xhokeri tjetër tash mund të shfrytëzohet, nëse jo vetoja?