Bucks e fitojnë titullin në NBA pas 50 vjetëve, pas fitores kundër Suns

Milwaukee Bucks kampionë të NBA për herë të dytë në histori. 50 vjet pas triumfit të parë, Giannis Antetokounmpo me shokë rikthyen në Wisconsin unazën e famshme, pas një sezoni të gjatë që përkundër parashikime nxori në finale pikërisht Bucks përballë Phoenix Suns.

Një sukses me përmbysje për Milwaukee-n, që pësoi dy humbje radhazi në sfidat e para, por më pas mori revanshin në takimet e shtëpisë, ndërsa përballja që bëri diferencën ishte e pesta, në parketin e Suns.

Sa i përket ecurisë së kësaj sfide të gjashtë të serisë, Bucks u duk qartë që në periodën e parë që kërkonin të mbyllnin përfundimisht llogaritë, duke e arritur një rezultat të pjesshëm 29-16. Gjithsesi, Suns nuk mund të dorëzoheshin kaq lehtë, duke zhvilluar një lojë shumë efikase në mbrojtje, me sulmin e Bucks që realizoi vetëm 13 pikë në periodën e dytë (31-13), teksa pjesa e parë u mbyll +5 për skuadrën nga Arizona, 42-47.

Pikërisht në periodën e tretë del me prepotencë në skenë Giannis Antetokounmpo. Greku shënoi 20 pikë në këtë 12-minutësh, duke i dhënë sërish kryesimin skuadrës së tij.

Suns u përpoqën të reagonin në fillim të periodës së fundit, por Bucks nuk e ulën ritmin dhe nën udhëheqjen e Giannis Antetokounmpos, që dhuroi një nga paraqitjet më të mira në karrierë, triumfuan në fund 105-98.

Plot 50 pikë realizoi në total, Giannis, praktikisht gjysmën e ekipit të tij, si dhe 14 “rebound”, ndërsa Suns nuk u mjaftuan 26 pikët e Chris Paul. Ditë e keqe për Devin Booker, i saktë vetëm në 8 nga 22 tentativat nga fusha.