Bruno Fernandes bllokoi Man Utd nga nënshkrimi i ‘lojtarit më të mirë në Ligën Premier’

Bruno Fernandes mund të ketë penguar pa dashje klubin e Manchester United të nënshkruajë me një nga lojtarët më të spikatur të sezonit 2023/24 të Ligës Premier deri më tani.

United është në vendin e tetë në tabelë me një diferencë prej minus pesë golash, pasi pësoi një tjetër humbje poshtëruese ndaj një prej rivalëve të tyre më të mëdhenj në fundjavë.

Skuadra e Erik ten Hag u mposht 3-0 nga Manchester City në Old Trafford për të ngritur pyetje të mëtejshme mbi përshtatshmërinë e holandezit si trajner.

Një numër i lojtarëve të tjerë të United janë përballur me kritika pas humbjes, duke përfshirë Mason Mount, i cili ka luftuar për të bërë ndikim që kur u bashkua nga Chelsea në një lëvizje prej 60 milionë funtesh këtë verë.

Mount doli nga stoli pas pjesës së parë kundër Cityt, por kishte pak ndikim në lojë, dhe ka arritur vetëm një asistim dhe asnjë gol në tetë ndeshje deri më tani këtë sezon.

Forma e Mount është në kontrast të dukshëm me atë të bashkëlojtarëve të tij te Anglia, si Jude Bellingham, James Maddison dhe Declan Rice, të cilët të gjithë kanë lulëzuar që nga transferimi në klubet e reja këtë verë.

Maddison në veçanti ka impresionuar për Tottenham Hotspur, duke shënuar tre gola dhe duke dhënë pesë asistime.

Gazetari i Manchester Evening News, Samuel Luckhurst, pretendon se United vendosi të mos bëjë një lëvizje për Maddison, i cili i kushtoi Spurs vetëm 40 milionë funte, pasi e konsideroi atë si shumë të ngjashëm me Fernandes.

“James Maddison, një nga bashkëmoshatarët e Mount, ka qenë lojtari më i mirë në Ligën Premier këtë sezon, Declan Rice ka qenë një nga më të mirët dhe Jude Bellingham është më i miri në botë. United nuk iu afrua asnjërit prej atyre mesfushorëve anglezë”, ka shkruar fillimisht Luckhurst.

“Bellingham e kishte zemrën të lidhur me Real Madridin, por Rice ose Maddison ishin të arritshëm”.

“Burimet e larta të United thonë se Maddison ishte shumë identik me Bruno Fernandes. Mount filloi pjesën më të madhe të karrierës së tij në Chelsea në rolin e mesfushës sulmuese që Fernandes merr rregullisht për United”, përfundoi gazetari anglez.