Brukseli fut në listën e zezë “Kalin e Trojës” që ka “instaluar” Putini në Beograd

Bashkimi Evropian ka filluar “të godasë” Serbinë për linjën e saj pro-ruse që po ndjek. Edhe pse me hapa të vegjël, të paktën Evropa ka filluar të lëvizë. Ajo që është e re në amendamentet e propozuara është sanksionimi i kanalit Russia Today (RT) Balkan, një kanal i Rusisë që operon dhe transmeton nga territori i Serbisë, si shembull i pozitës dominuese në skenën mediatike, duke ndihmuar mediat ruse për të përhapur propagandë dhe për të qenë afër qeverisë serbe. Mësohet se ky kanal, është përfshirë në listën e entiteteve të cilat Bashkimi Evropian do t’i sanksionojë në paketën e 11 të sanksioneve kundër Rusisë.

Në vendimin e përgatitur të BE-së, thuhet se ky kanal është i përfshirë për tu sanksionuar. BE-ja edhe zyrtarisht ka dorëzuar listën me të gjitha entitetet që do të shtohen në listën e sanksioneve dhe aty është edhe RT Balkan.

Sipas këtij vendimi sanksionet ndaj këtyre mediave do të hyjnë në fuqi me 1 tetor të këtij viti. Russia Today për Ballkanin, me seli në Beograd, ka nisur transmetimin në gjuhën serbe në nëntor të vitit 2022, gjysmë viti pas nisjes së agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Qëllimi i paketës më të re të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë është parandalimi i shmangies së sanksioneve përmes vendeve të treta. Beogradi kritikohet në draft dhe në amendamente për mospërputhje me qëndrimet e BE-së në lidhje me sanksionet ndaj Rusisë, se ndihmon në shmangien e sanksioneve, madje propozohet ngrirja e negociatave për anëtarësim dhe ndalimi i ndihmës financiare nga BE-ja për këtë arsye. Nga Serbia gjithashtu kërkohet që të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën përmes njohjes reciproke të dy shteteve.