Bruksel: Reformat e integrimit në BE – miliardë euro për Ballkanin

Në një intervistë për Klan Maqedonia, bashkëraportuesja për asistencën financiare IPA III (IPA 3) Zheljana Zovko, shprehet, se 14 miliardë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor përbëjnë paketën më të madhe financiare për reformat e integrimit europian dhe administratat e rajonit nuk duhet të humbin shansin për të thithur fonde me projekte jo të përgatitura mirë. Por alokimi i asistencës është i kushtëzuar dhe përfshin dhe pezullim të fondeve në rast të rrëshqitjes prapa në demokraci në Shqipëri, shkelje të lirisë së shypit dhe të drejtave të njeriut, apo cënim të sundimit të ligjit.

-Më shumë se 14 miliardë euro do t’i alokohen vendeve të Ballkanit Perëndimor për shtatë vjet. Një sasi e konsiderueshme e arritur falë miratimit nga Parlamenti Evropian të programit IPA III (IPA 3). Ju jeni bashkë-raportuees për raportin mbi IPA III (IPA 3) dhe gjatë debatit në plenare thatë, se Bashkimi Evropian i ka bërë detyrat e shtëpisë dhe tani topi është në fushën e vendeve përfituese për axhendën e reformave. Çfarë kuptoni konkretisht me këtë?

ZHELJANA ZOVKO, EURODEPUTETE

Ne aprovuam përfundimisht asistencën financiare IPA III (IPA 3), që është paketa më e madhe që do të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor për reformat e integrimit europian. Ne po e shohim se ç’ndodh kur Bashkimi Europian nuk vepron dhe nuk vazhdon angazhimin e tij në vende të treta. Ndaj, ky ishte një sinjal i mirë, që tregon qasjen e Bashkimit Europian për rajonin e Ballkanit Perëndimor, si një hapësirë që do t’i përkasë një ditë kësaj organizate dhe nga ana tjetër tregon angazhimin për politikën e zgjerimit, pavarësisht zërave të skeptikëve. Madje grupi i skeptikëve parashtroi dhe një amendament. Tërheq vazhdimisht vëmendjen për partnerët në Ballkan, se është e vështirë, që t’ju shpjegojmë qytetarëve europianë, që Bashkimi Europian do të vazhdojë të zgjerohet dhe që kjo ështê edhe në interesin e europianëve, sepse zgjerimi prodhon siguri edhe për ta. Ndaj u gëzova shumë që IPA III (IPA 3) u miratua. Por tani do të zhvilloj një tur në rajon për t’ju shpjeguar liderëve në Ballkan, që është përgjegjësia e tyre që të na ndihmojnë ne t’i mbështesim ata për të shkurtuar afatet e anëtarësimit në BE. Reformat duhen kryer, sepse Bashkimi Europian nuk pranon vende që nuk respektojnë shtetin ligjor, që nuk respektojnë të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve, lirinë e shtypit, që promovojnë gjuhën e urrejtjes dhe që nuk punojnë për pajtimin. Ndaj, ne kemi këtë qasje të re me alokacion të fondeve sipas tematikës. Për herë të parë, Parlamenti Europian, që është avokati më i zëshëm për Ballkanit Perëndimor, ia doli që të përfshihet drejpërdrejt në këtë proces përmes akteve deleguese. IPA III është një instrument, që na mundëson për të parë të shohim, se ku shkojnë paratë e Bashkimit Europian dhe si menaxhohen ato. Ne do të punojmë dorë më dorë me Komisionin Europian për të shqyrtuar, se si aprovohen programet. Nuk ka më justifikim për liderët ose administratat që janë përgjegjëse për të përgatitur programet në Ballkan. Ndaj, në fjalimin tim, përdora shprehjen : Topi është në fushën tuaj, të punoni fort, të prezantoni projekte. Paratë janë aty, të rinjtë kanë nevojë për punësim, ndaj duhet krijuar një e ardhme më e mirë që ata të qëndrojnë aty. Koha nuk punon në favorin tonë, pasi nëse nuk tregohet progres shumë shpejt, forcat skeptike do jenë gjithnjë e më të forta në BE dhe do jetë shumë vështirë të shpjegohet pse BE-ja duhet të zgjerohet.

-Pikërisht ka shqetësime dhe ankesa për shpenzimin e fondeve europiane në rajon. Madje gjatë debatit disa eurodeputetë u shprehën se pse i duhen dhënë këto para vendeve të Ballkanit, kur mund t’i jepen qytetarëve europianë? Kushtëzimi i asistencës financiare është qartësisht elementi që krijon besim. Ju thatë se për herë të parë Parlamenti Europian do të jetë i përfshirë në proces. Si do të funksionojë kjo?

ZHELJANA ZOVKO, EURODEPUTETE

Konkretisht, në parim janë delegacionet e BE-së në vendet e rajonit, që monitorojnë punën e administratës dhe politikës, zbatimin e projekteve dhe janë sytë dhe veshët tona në terren. Ne marrim raportet e tyre dhe zhvillojmë vizita në terren për të hartur raportet dhe rezolutat tona. Por tani, me fillimin e programimit të asistencës së re IPA III, ne do jemi shumë më të përfshirë në brendësi të alokacionit të fondeve. Kam komunikuar me Komisionin Europian dhe tani do futen në fazën finale të vlerësimit të projekteve për çdo vend të rajonit. Ne do shohim, se cilat janë propozimet për projektet, çfarë është dërguar për t’ju nënshtruar vlerësimit. Ne kemi luftuar 2 vjet për të negociuar këtë paketë asistence me Këshillin e BE-së. Një gjë duhet të jetë e qartë : Nuk ka para për t’u hedhur poshtë në Europë apo kudo në botë, pasi ne po kalojmë përmes një periudhe turbulence për shkak të pandemisë. Nga ana tjetër, është e vështirë të shpërdorohen ose keqmenaxhohen paratë e IPA-s, sepse ato alokohen për tranformimin e vendeve kandidate dhe potenciale kandidate. Unë nuk jam me kolegët që duan ta rrëzojnë këtë instrument, por me ata që nxisin për të investuar për qytetarët dhe jo të përdorin këto para për të parandaluar krizën e emigracionit apo krizë të sigurisë. Jam në favor të nxitjes së vendeve të reja të punës, për çêshtjet sociale dhe arsimin. Cështja është se humbet shansi që të thithen paratë, nëse administrata nuk ka përgatitur mirë projektet. Kjo është vërtet e turpshme. Jam zemërthyer kur dëgjoj që disa vende të rajonit nuk kanë kapacitet absorbues për fondet. Pra, nuk ka mund të ketë më justifikim për administratat. Ne, si shtete anëtare duhet të përgatitemi për strategjinë e gjeneratës së re të Bashkimit Europian, ndaj çdo shtet anëtar do të përdorë çdo cent që na ofrohet. Ndaj duhet kuptuar nga Ballkanit, që nëse administratat nuk janë në gjendje të thithin këto para, dikush tjetër do t’i marrë ato para. Mbështetja financiare tashmë alokohet vetëm sipas tematikës dhe vendet që do tê paraqesin projekte solide për ndërlidhjen, çështjet sociale, pajtimin, do të shpërblehen. Të gjithë ata që presin duke kujtuar se dikush do t’i ofrojë para, gabohen rëndë./Tv Klan Bruksel/