Brnabiq: Kurti do vetëm konflikte, BE-ja më e shqetësuar se kurrë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka thënë të shtunën se e vetmja gjë që dëshiron kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është të provokojë një konflikt, por edhe se nuk ka parë ndonjëherë disa përfaqësues të Bashkimit Evropian kaq të shqetësuar për atë që do të ndodhë më pas.

“Mendoj se janë plotësisht të vetëdijshëm se Kurti jo vetëm që do të vazhdojë me provokimet, por do ta ngrejë atë në një nivel të ri, sepse ngadalë po i mbaron koha”, ka thënë Brnabiq për TV Pink.

Ajo shtoi se edhe mbrëmë ka ardhur një paralajmërim nga SHBA-ja se duhet të zbatohet Marrëveshja e Brukselit, se duhet të formohet Asociacioni.

“Kjo është arsyeja pse ai e sheh rrugëdaljen në provokimin e një konflikti, dhe kjo është e qartë për të gjithë nga SHBA-ja dhe BE-ja. Dhe është një shqetësim i madh. Pozicioni ynë nuk do të jetë i lehtë dhe shtatori do të jetë mjaft i vështirë”, ka theksuar ajo.

Ajo falënderoi serbët në Kosovë për tolerancën dhe durimin në rrethana të vështira, duke shtuar se kjo tregon edhe dallimin mes popullit serb dhe lidershipit shqiptar në Prishtinë – “që dëshiron paqe dhe bashkëjetesë paqësore dhe që dëshiron një Kosovë etnikisht të pastër”.

Duke folur për përshtypjen e saj personale nga forumi i Bledit, në të cilin mori pjesë edhe me Kurtin, ajo ka thënë se ishte një ndjenjë e tmerrshme për të, sepse duhet të ulet me dikë që keqtrajton popullin serb, dhe sipas saj, nuk respekton asnjë marrëveshje dhe përpiqet t’i çmendë gjithë botën, BE-në e SHBA-në.

“Nëse ai thotë se është ‘Zelensky i vogël’, kurse ne këtu jemi ‘Putini i vogël’, atëherë Kosova është historia më e suksesshme në historinë e njerëzimit dhe ai udhëheq një qeveri që është lider në respektimin e të drejtave të njeriut… Dhe do t’i thoshit shumë gjëra, por në atë mënyrë që të mos përdoret për t’i bërë njerëzit të mendojnë – janë njësoj, nuk ka dallim, është një sherr mes serbëve dhe shqiptarëve… por duhet t’i thuash gjërat siç janë, si janë ata, cili është pozicioni i vendit tuaj dhe sa e vështirë është situata. Por ju duhet të përballeni me të”, ka thënë Brnabiq dhe shtoi se barra më e rëndë i takon presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sepse “ai takohet më së shpeshti me Kurtin”.

Ajo ka thënë se edhe përfaqësuesi special i Gjermanisë, Manuel Sarrazin, në korrik ka thënë se populli serb po vuan jashtëzakonisht.

“Është e vështirë kur duhet të ulesh në një panel me një person që ka lejuar të qëllohen gjashtë serbë në Kosovë. Ai që ka qëlluar një fëmijë 11-vjeçar është në liri. Dhe ai person [Kurti] jo vetëm që ka krijuar atmosferën për një gjë të tillë, por edhe inkurajon një akt të tillë ndaj serbëve. Dhe pastaj thotë se ata janë lider në respektimin e të drejtave të njeriut, ndërsa ju keni serbë që janë mbajtur në paraburgim për ndërtime pa leje për më shumë se 21 muaj”, ka thënë Brnabiq.