Britania stërvitet pranë kufirit rus, simulon goditje me dronë drejt Shën Petersburgut

Forcat e armatosura britanike kanë zhvilluar një stërvitje të NATO-s në Estoni, ku kanë simuluar goditje me dronë me rreze të gjatë veprimi drejt objektivave në zonën e Shën Petersburgut, qyteti ku ka lindur presidenti rus Vladimir Putin.

Sipas The Sun, ushtria britanike po intensifikon përgatitjet për skenarë të mundshëm përballjeje me Rusinë, duke testuar gjatë manovrave dronët e rinj raketorë Nyan.

Këta dronë kanë një rreze veprimi prej afro 250 kilometrash dhe janë projektuar për të goditur objektiva strategjikë si depo karburanti, depo municionesh dhe qendra komanduese ushtarake.

Stërvitja u zhvillua në bazën ushtarake të Tapës në Estoni, rreth 250 kilometra në vijë ajrore nga Shën Petersburgu. Në këtë rajon ndodhen edhe baza detare strategjike ruse e Kronstadtit dhe baza ajrore ushtarake e Levashovos.

“Gjatë stërvitjes testuam nëse droni mund të fluturonte nga këtu deri në Shën Petersburg. Gjithçka varet nga mbrojtja ajrore dhe lufta elektronike e kundërshtarit, që do të përcaktonin mënyrën e manovrimit”, tha një ushtarak britanik, i cituar nga The Sun.

Sipas raportimit, dronët Nyan do të zëvendësojnë një kompani tankesh Challenger 2, e cila ka qenë e dislokuar në Estoni gjatë dhjetë viteve të fundit, duke reflektuar ndryshimin e strategjisë ushtarake drejt përdorimit më të gjerë të sistemeve pa pilot.