Britania frikësohet nga varianti indian i koronavirusit, lehtësime në kryeqendrat tjera evropiane

Britani e Madhe

Kur njerëzit kanë nisur të shijojnë diellin në brigjet britanike, shkencëtarët nga ana tjetër paralajmërojnë ministrat se një valë tjetër e COVID-19 ka nisur tashmë në Britani të Madhe.

Shqetësimet e tyre po hedhin dyshime mbi planet e parashikuara në Angli që brenda tre javësh të hiqen të gjitha kufizimet e bllokimit. Problemi është përhapja e variantit të ri indian.

Të hënën, Britania e Madhe raportoi më shumë se 3.000 infeksione të reja Covid.

“Për momentin nuk kemi të dhëna të mjaftueshme. Në disa pjesë të vendit nuk ka variante të covid-19 dhe gjithçka është mjaft e qëndrueshme; në pjesë të tjera të vendit ka filluar të mbizotërojë varianti B.1.1.7, varianti Kent”, u shpreh Nadhim Zahawi.

Lajmi i mirë është se një dozë e dyfishtë e vaksinave më të përdorura në Mbretërinë e Bashkuar janë efektive kundër variantit.

Sfida tani është të rritet niveli i vaksinimit dhe hapja e stadiumit Twickenham po shërben si një qendër për vaksinimin.

“Është shansi ynë më i mirë për t’u rikthyer në gjendje normale dhe për të mbrojtur njerëzit e pambrojtur. Kështu që padyshim, do ta bënim”, tha një qytetar.

“Veçanërisht me variantin indian mendoj se është më e sigurt të marrësh vaksinën sa më shpejt të jetë e mundur. Prandaj, unë kam ardhur këtu sot”, u shpreh një tjetër.

Francë

Në Francë ka lehtësim, pasi programi i vaksinimit është shpërndarë për të gjithë të rriturit.

“Për mua, është e domosdoshme të vaksinohem me çdo kusht. Kështu do të jem në gjendje të shoh gjyshërit e mi dhe pastaj të shkoj me pushime në korrik, është shumë e rëndësishme. Dhe së fundmi, unë sapo kam nënshkruar një kontratë pune në një restorant me më shumë se 200 vende, kështu që ju duhet të vaksinoheni”, tha një i ri.

Itali

Shkalla e infektimit COVID-19 e Italisë vazhdon të bjerë dhe më shumë dhe tre rajone po futen në klasifikimin e “zonës së bardhë” që do të thotë se ata duhet të kenë regjistruar më pak se 50 raste COVID-19 për 100.000 banorë për tre javë rresht.

Shpërblimi është padyshim lehtësimi i kufizimeve.

“Duket e çuditshme, por të pish një filxhan kafe në një bar duket se është diçka e re. Kthimi në normalitet është i bukur”, tha një kamariere në Itali.

Pavarësisht frikës duket se me keqja ka kaluar.