Britania do të shtojë vaksinat kineze të “Sinovac”-ut dhe “Sinopharm”-it në listën e vaksinave të miratuara

Britania tha se do të njohë këtë muaj vaksinat e COVID-19 të përfshira në Listën e Përdorimit Emergjent të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duke shtuar vaksinat e “Sinovac”-ut dhe “Sinopharm”-it të Kinës dhe “Covaxin” të Indisë në listën e vaksinave të miratuara të vendit për udhëtarët që vijnë nga jashtë.

Nga këto ndryshime, të cilat hyjnë në fuqi nga 22 nëntori, do të përfitojnë të vaksinuarit plotësisht nga vende si Emiratet e Bashkuara Arabe, Malajzia dhe India.

Rregullat e udhëtimit po thjeshtohen më tej pasi të gjithë njerëzit nën moshën 18 vjeç do të trajtohen si plotësisht të vaksinuar në kufi dhe do të mund të hyjnë në Angli pa u vetizoluar pas mbërritjes, tha të hënën Departamenti i Transportit.