“Bratstvo” e Zhitoshës sot shënon ditën historike

KF “Bratstvo” nga Zhitosha sot shënon zhvillim-ndeshjen historike me skuadrën e Vinicës FK “Slloga”. Skuadra shqiptare nga pjesa qendrore e Maqedonisë së Veriut “Bratstvo” nga Zhitosha, do të jetë skuadra e vetme shqiptare që do të garojë në Ligën e Dytë-Lindje. Fill pas kualifikimit në këtë Ligë, kjo skuadër shqiptare u përforcua edhe me fudbollistët shkupjanë, Emir Mustafa, Shefket Jashari, Erkan Shaipi dhe Rexhep Selmani. Poashtu përforcime janë bërë edhe nga “Pobeda” e Prilepit si dhe “Pitu Guli” nga Krusheva.

Trajneri Romer Muriq, për ndeshjen e sotme ka shprehur optimizëm të theksuar për një rezultat pozitiv, si rezultat i përgatitjeve të suksesshme.
Drejtori sportiv z.Eroll Abdiu, për Gazetën “Lajm”, ka thënë se kjo ndeshje është historike, për shkak se ata paraprakisht kishin siguruar kualifikimin në Ligën e Dytë.

“Kjo ditë për ne dhe skudarën tonë paraqet një zhvillim historik dhe një sukses të madh”, ka thënë z.Abdiu, duke shtuar se “Zhitosha fatkeqësisht ka një hendikep të madh për faktin se ky vendbanim shqiptar nuk posedon stadium”, prandaj,sipas tij ata “janë të detyruar që ndeshjet t’i luajnë në Stadiumin e Prilepit”.
Pikërisht për këtë thotë drejtori Eroll Abdiu, janë në komunikim të përhershëm me kryetarin e Federates z.Muamet Sejdini, i cili i ka siguruar se për një kohë të shkurtër edhe Zhitosha do të ketë stadiumin e tyre./ Albion MEMETI