Botimi i UT-së “Viti 1968 – Sfidë e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni” vlerësohet lartë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë

Universiteti i Tetovës mori pjesë në Panairin mbarëkombëtar të librit dhe shkencës, që u mbajt ditë më parë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, ku përpos disa titujve shkencorë, e përuroi edhe botimin me titull “Viti 1968 – Sfidë e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni”, numër special i revistës periodike ndërkombëtare të shkencave humane dhe sociale “Philosophica”.

Revista shkencore “Philosophica” e Fakultetit Filozofik, është revistë periodike e themeluar në vitin 2014, që u jep mundësi hulumtuesve shkencorë që të gjejnë hapësirën e përshtatshme për të botuar punimet hulumtuese në fushat e shkencave sociale dhe humane.

Përurimin e revistës së lartpërmendur në ASHSH e udhëhoqi kryetari i Senatit i UT-së, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, ndërkaq detajet për rëndësinë e revistës dhe për indeksimin e saj në institucionet ndërkombëtare i paraqiti Prof. Dr. Agon Memeti.

Ai, në fjalën e tij theksoi se studimi, veprimtaria hulumtuese-shkencore dhe promovimi i saj reflektojnë seriozitetin institucional, qoftë si universitet, fakultet ose institut shkencor. “Revista “Philosophica” mëton të jetë emblemë e veprimtarisë shkencore jo vetëm e stafit akademik, por mbi të gjitha e veprimtarisë së të gjithë atyre që ushtrojnë veprimtari aktive studiuese. Me këtë “Philosophica” promovon veten si urë lidhëse mes institucioneve të ndryshme, si një urë e përvojave, shkencës dhe vlerave kulturore, duke i tejkaluar kornizat e ngushta institucionale”, u shpreh Prof. Dr. Agon Memeti.

Më pas u prezantua historiku i revistës dhe ngjarjet që i trajton në brendi. Më 22 dhjetor të vitit 2018, Universiteti i Tetovës, përkatësisht Fakulteti Filozofik, organizoi simpoziumin me titull “Viti 1968 – Sfidë e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni”, kushtuar 50 – vjetorit të demonstratave të dhjetorit 1968 në Tetovë, për flamurin kombëtar dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.

Historia na rrëfen se qëndresa e kombit tonë ndaj përpjekjeve të armiqve pushtues, shtypës e gjenocidal, përfshin data e vite të ndryshme. Njëra prej këtyre datave padyshim është edhe 22 dhjetori i vitit 1968, data e demonstratave në qytetin tonë – Tetovë.

Demonstratat e vitit 1968 mbeten një ngjarje e shënuar në historinë politike të shqiptarëve të Maqedonisë. Kjo ngjarje realisht shënon reagimin më dinjitoz ndaj një sistemi, i cili në esencë ishte kundër qenies shqiptare, kundër simbolikës që identifikon shqiptarët si komb me identitet dhe me një histori të bujshme. Pikërisht në këtë vit, tetovarët demonstruan vullnetin e tyre kombëtar dhe afirmimin e identitetit të tyre historik dhe kulturor, duke shënuar kështu zgjimin e tyre, një zgjim që do të vijë nëpërmjet shumë figurave intelektuale rezistuese, por edhe të rinisë së asaj kohe, e cila pa hezitim u vendos në mbrojtje të dinjitetit kombëtar, në mbrojtje të flamurit, të shpaluar nga veprimtarët e asaj kohe.