Borrell për takimin Kurti-Vuçiq: S’ishte normal, por ata pajtohen që të vazhdojnë diskutimet

Shefi i Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka thënë pas takimit në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se Evropa nuk ka nevojë për tensione e konflikte.

“I prita Kurtin dhe Vuçiq për herë të tretë në takimin për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Takimi i sotëm nuk ishte normal”, është shprehur Borrell, njofton KlanKosova.tv.

“Takimi ishte për të gjetur zgjidhje për të siguruar stabilitet dhe siguri në pjesën veriore të Kosovës. Evropa është në kohë kritike. Shohim rikthim të luftës në kontinentin tonë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Përballemi me një moment të rrezikshëm dhe nuk është momenti për rritje tensionesh, por për zgjidhje”.

“Liderët patën mundësinë që të flasin në detaje për marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizim. Ata e kanë kuptuar se nuk ka alternativë përveç dialogut. Kanë dallime të mëdha mes vete, por ata pajtohen që t’i vazhdojnë diskutimet në baza të rregullta për normalizimin e procesit, sa më parë”.