Borrell: Nuk duam një Luftë të Tretë Botërore

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se BE-ja do ta vazhdojë përkrahjen financiare dhe ushtarake për Ukrainën, por pa u bërë pjesëmarrëse në luftën me Rusinë.

“Ne duhet ta mbajmë baraspeshën mes përkrahjes ushtarake për Ukrainën dhe të mos konsiderohemi një pjesëmarrës agresiv në luftë. Ne nuk e duam një Luftë të Tretë Botërore”, tha shefi i diplomacisë së BE-së në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Afër përvjetorit të parë të nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, Borrell tha se BE-ja duhet t’i dërgojë sa më shpejt tanket luftarake në Ukrainë, ndërsa shtoi se vendet anëtare do ta shqyrtojnë kërkesën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për aeroplanë luftarakë.

Megjithatë, ai përmendi edhe opsionin e bisedimeve për paqe, të cilin Zelensky e quajti më 20 shkurt si “dialog të padobishëm” pasi që tha se “ne nuk jemi në pozicion për të ndryshuar sjelljen e Rusisë”.

Borrell gjithashtu se tha sanksionet e vendosura nga BE-ja për gazin dhe naftën ruse kanë dëmtuar Rusinë, por se pasojat e luftës që nisi më 24 shkurt të vitit të kaluar po i vuajnë edhe të tjerët.

“E gjithë bota është duke paguar shtrenjtë për këtë: ngritje të çmimeve të elektricitetit, energjisë, ushqimit, inflacionit dhe rritjes së ulët ekonomike. Të gjithë në botë po i paguajnë pasojat e vendimit të [presidentit rus, Vladimir] Putinit për pushtimin e Ukrainës”, tha Borrell.