Boris Johnson ‘më i bindur se kurrë’ se Putini do të dështojë

Duke folur në konferencën e Konservatorëve Skocezë në Aberdeen këtë pasdite, kryeministri britanik Boris Johnson ka thënë se është “më i bindur se kurrë” se Vladimir Putin do të dështojë në Ukrainë.

“Ai do të dështojë”, ka thënë ai, përcjell Telegrafi. “Sepse në sipërmarrjen e tij katastrofike në Ukrainë ai nënvlerësoi fatalisht heroizmin dhe vendosmërinë e ukrainasve për të luftuar”.

“Ai e nënvlerësoi unitetin perëndimor. Dhe ndër të tjera, meqë ra fjala, ai nënvlerësoi angazhimin pasionant të njerëzve në këtë vend për të ndihmuar”.

Kryeministri britanik ka shtuar se më shumë armë mbrojtëse do të sigurohen për të ndihmuar Ukrainën kundër “bombardimeve të pamëshirshme”.

Dhe ndërsa kryeministri i tanishëm është përqendruar në mbështetjen e fuqishme të Ukrainës, një nga paraardhësit e tij është angazhuar në një ndihmë humanitare të ukrainasve.

Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, ka vozitur një kamion me furnizime për refugjatët ukrainas në Poloni, për t’i dorëzuar ato në Kryqin e Kuq.

Ai tha se në dy javët e fundit ata kishin lëshuar një apel për furnizime që mund t’u nevojiteshin refugjatëve ukrainas ndërsa mbërrinin në Poloni dhe ata kishin marrë një numër të madh donacionesh, “me gjithçka, nga pelenat te produktet sanitare, rrobat e deri tek kompletet e ndihmës së parë”, përcjell Telegrafi.

Ai tha se aktualisht po udhëtonte në Poloni me dy kolegë për t’i dorëzuar furnizimet Kryqit të Kuq, duke ndarë një foto të tij duke vozitur një kamion.