Paraditen e sotme në Katalunjë u zhvillua mbledhja e bordit drejtues të Barcelonës, që ishte më e nxehta në historinë e lavdishme të klubit spanjoll, pasi vinte pas një sezoni të dështuar, pa asnjë trofe të fituar dhe me një humbje poshtëruese 8-2 përballë Bayernit të Mynihut në fazën e çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve.
Çështjet për diskutim ishin shkarkimi i trajnerit Quique Setien, i cili është në krye të pankinës që prej fillimit të këtij viti, emërimi i trajnerit të ri dhe caktimi i datës së zgjedhjeve, ndërsa në përfundim të mbledhjes klubi i Barcelonës bëri të ditura edhe vendimet.
Kështu u njoftua edhe zyrtarisht shkarkimi i trajnerit Quique Setien, i cili duket se do të paguajë dështimin e këtij sezoni, ndonëse erdhi vetëm në janar dhe drejtoi një skuadër të cilën nuk e ndërtoi vetë.
Gjithashtu u vendos që në ditët e ardhshme të prezantohet trajneri i ri, që sipas mediave pranë Barcelonës, do të jetë ish futbollisti “blaugrana” Ronald Koeman, i cili fillimisht do të prishë kontratën me kombëtaren holandeze dhe më pas do të zyrtarizohet në pankinën e klubit katalan.
Kujtojmë që Barcelona provoi të afrojë Koeman edhe në muajin janar, kur shkarkoi Ernesto Valverden, por atëherë 53-vjeçari refuzoi pasi donte të drejtonte Holandën edhe në Kampionatin Europian të 2020-ës, që gjithsesi nuk u zhvillua dhe u shty për një vit më vonë.
Sa i përket presidentit, është vendosur që Joseph Bartomeu të mos dorëhiqet apo shkarkohet, por të vijojë mandatin deri në fund, ndërsa presidenti i ri do të zgjidhet në marsin e 2021-shit, kur edhe do të mbahen zgjedhjet në klub.