Bllokohet Rruga e Kombit, do të kryhen punime për zhvendosjen e një ure

Një segment prej afro tri kilometrash në Rrugën e Kombit, pranë qytetit të Kukësit është bllokuar. Për shkak të punimeve për zhvendosjen e urës së re mbi bazamentin përfundimtar, nga ura gjashtëmetroshe deri tek ura mbi Drin nuk do të lejohet qarkullimi i qytetareve dhe mjeteve.

Trafiku i makinave që udhëtojnë nga Kosova drejt Tiranës dhe anasjelltas devijohet në dy pika hyrëse për në qytetin e Kukësit, drejt unazës për t’u lidhur me urën ekzistuese mbi Drinin e Zi.

Bllokimi i segmentit dhe devijimi i trafikut nisi në orën 15:00 të së shtunës dhe do të vijojë për të paktën 12 ditë, deri në përfundimin e zhvendosjes se urës metalike mbi Drin.

Policia është angazhuar për të menaxhuar trafikun që do të krijohet nga ky devijim, për shkak të fluksit të lartë të mjeteve e veçanërisht atyre të transportit të mallrave dhe tonazhit të rëndë.

Ura e re mbi lumin Drin ka përfunduar tërësisht si konstrukt metalik, ndërsa përmes një procesi delikat do të zhvendoset gjatë këtyre ditëve në bazamentet përfundimtare në brigjet e liqenit, raporton Abc News.al.

Ura e re ka një gjatësi rreth 310 metra me konstrukt çeliku, pa pikë mbështetëse të ndërmjetme dhe me një hark metali me një lartësi kulmore nga bazamenti 50 metra. Ura e re përmbyll përfundimisht piken nevralgjike të Rrugës së Kombit, e cila krijonte trafik gjatë sezonit të verës.