Blinken thotë se Ukraina ka rimarrë 50 për qind të territorit të zaptuar nga Rusia

epa09807605 US State Secretary Antony Blinken attends a press conference in Riga, Latvia, 07 March 2022. Blinken is on an official visit to Lithuania, Latvia and Estonia to discuss Russia's invasion of Ukraine, the security situation in Europe and the reinforcement of NATO's defense capabilities in the Baltic States, including US military presence in the region. EPA-EFE/TOMS KALNINS

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Ukraina ka rimarrë rreth 50 për qind të territorit që ka zaptuar Rusia, ndonëse kundërofensiva e Kievit do të zgjasë disa muaj.

“Ajo tashmë ka rimarrë rreth 50 për qind të asaj që ishte zaptuar”, ka thënë Blinken në një intervistë për rrjetin televiziv CNN, të dielën.

“Këto janë ditë relativisht të hershme të kundërofensivës. Është e vështirë”, ka thënë ai, raporton Reuters.

“Nuk do të përfundojë për një javë apo dy. Ne presim [që kundërofensiva të zgjasë] disa muaj”, është shprehur Blinken.

Komentet e kryediplomatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës erdhën pak orë pasi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se kundërofensiva e Ukrainës “ka dështuar”.

Putin e ka bërë këtë vlerësim teksa ka pritur aleatin e tij të ngushtë, udhëheqësin bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, për bisedime në Shën Petersburg, të dielën.

“Nuk ka kundërofensivë”, ka thënë Lukashenka, i cituar nga agjencitë ruse të lajmeve. Putin i është përgjigjur atij, duke thënë se “ajo ekziston, por ka dështuar”.

Ukraina ka nisur kundërofensivën e saj të shumëpritur muajin e kaluar, por deri më tani ka bërë vetëm përparime të vogla kundër forcave ruse të shtrënguara në pozicione, të cilat kontrollojnë më shumë se një të gjashtën e territorit të saj, pas gati 17 muajsh luftë.

Gjenerali amerikan, Mark Milley, shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka thënë të martën se nisma ukrainase “është larg të qenët e dështuar”, por se do të jetë e gjatë, e vështirë dhe e përgjakshme./REL