Blinken: ShBA-ja po punon me aleatët evropianë për mundësinë e ndalimit të importit të naftës ruse

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, tha të dielën se ShBA-ja po punon me aleatët e saj në Evropë për të shqyrtuar mundësinë e ndalimit të importeve të naftës ruse në një përpjekje për të ndëshkuar më tej vendin për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

“Kur bëhet fjalë për naftën, naftën ruse, dje isha në telefon me presidentin dhe anëtarët e tjerë të kabinetit pikërisht për këtë temë, dhe tani po flasim me partnerët dhe aleatët tanë evropianë për të parë në mënyrë të koordinuar perspektivën për ndalimin e importit të naftës ruse duke u siguruar që ka ende një furnizim të duhur të naftës në tregjet botërore”, tha ai për CNN.

“Ky është një diskutim shumë aktiv ndërsa flasim”, shtoi Blinken.

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar tashmë një mori sanksionesh kundër Rusisë dhe presidentit Vladimir Putin që nga pushtimi i paprovokuar i Ukrainës muajin e kaluar. Por hapi i paprecedentë i sanksionimit të eksporteve të saj të naftës ka të ngjarë të çojë në rritje të çmimeve, duke u dhënë një goditje të dhimbshme konsumatorëve në mbarë botën pasi Rusia është prodhuesi numër dy i naftës në botë.

Megjithëse ShBA-ja konsumon shumë pak naftë ruse, importet e naftës nga Rusia qëndruan në vetëm 90 mijë fuçi në ditë në dhjetor, tregu global i ndërlidhur do të thotë se goditjet e ofertës në një pjesë të botës mund të ndikojnë në çmimet kudo.