Agjencia për Siguri Kombëtare (ASK) ka blerë gjashtë automjete të markës Shkoda për 159 mijë euro me TVSH, ndërsa në çmim përfshihet edhe servisi i rregullt. Të dhënat nga Byroja e Prokurimeve Publike tregojnë se në thirrjen publike është paraqitur vetëm një ofertues, “Josifov DOOEL Import-Eksport Manastir”, transmeton Portalb.mk.
Katër nga automjetet e blera për nevojat e ASK-së janë të modelit “Shkoda Octavia” 1.5 TSI MT6 me transmision manual me gjashtë shpejtësi, ndërsa dy automjete janë me transmision automatik, të modelit “Shkoda Octavia” 1.5 TSI DSG.
Dy automjete me leasing operativ nga e njëjta kompani këtë vit i ka blerë edhe Shoqëria Aksionare për Ndërtim dhe Menaxhim me Hapësirë Banimi dhe Biznesi. Më herët, “Josifov DOOEL Import-Eksport Manastir” ka fituar tenderët për furnizimin me automjete në Agjencinë e Aviacionit Civil dhe në MPB, kur policia bleu automjete me mjete nga një donacion çek.
Siç njofton Slloboden Peçat, kompania ka fituar tenderë për furnizimin me automjete edhe në shumë institucione të tjera shtetërore, Ministrinë e Administratës Publike, Qendrën për Zhvillimin e Rajonit Planor Jugperëndimor etj.
Agjencia për Siguri Kombëtare ishte pajisur me automjete të reja edhe në maj të vitit 2024, kur u blenë automjete “Renault Megane” dhe “Opel Corsa”. U ble edhe një furgon pasagjerësh “Peugeot”.





