Bletarët e vlerësojnë këtë si një nga sezonet më të këqija të dy dekadave të fundit. Shirat e shpeshtë, erërat dhe kushtet e pafavorshme gjatë lulëzimit kanë bërë që në shumë koshere të ketë shumë pak mjaltë.
Sipas tyre, prodhimi për një koshere ka rënë ndjeshëm – nga rreth 10–15 kilogramë në vitet e kaluara, në vetëm 2–5 kilogramë këtë sezon. Në disa raste, sasia e mbetur është lënë për ushqimin e bletëve.
Bletarët fajësojnë edhe ndryshimet klimatike, ndërsa theksojnë se situata është e ngjashme në shumë rajone të vendit.
Përveç motit, ata përballen edhe me konkurrencë në treg dhe vonesa në pagesën e subvencioneve. Megjithatë, çmimi i mjaltit mbetet rreth 600 denarë për kilogram. Në panairin tradicional “Ditët e mjaltit”, bletarët kanë ofruar kryesisht rezerva nga sezonet e kaluara.
Pavarësisht sezonit të dobët, ata shpresojnë që kushtet atmosferike dhe prodhimi të përmirësohen vitin e ardhshëm.





