Biznesi dhe jeta sociale rikthehen në normalitet pas optimizimit të masave ndaj virusit

Trafiku i zhurmshëm është rikthyer në rrugët e qyteteve, restorantet po mbushen plot me klientë, pikat turistike po gumëzhijnë nga vizitorët dhe fabrikat po punojnë me ngarkesë të plotë në për të kompensuar vonesat e shkaktuara nga COVID-19.

Këto janë shenjat e rimëkëmbjes së jetës dhe biznesit në Kinë pas rregullimit të përgjigjes epidemike me nxjerrjen e 10 masave të optimizuara më 7 dhjetor, për të koordinuar më mirë përpjekjet kundër virusit dhe zhvillimin ekonomik.

Ndërsa Kina vazhdon të optimizojë masat për parandalimin e epidemisë, restorantet në shumë zona në mbarë vendin kanë rifilluar shërbimet.

Edhe tregu i filmit po e merr veten. Aktualisht, mbi 9 800 kinema janë në funksionim në tërë vendin, që përbëjnë rreth 80 për qind të numrit të përgjithshëm, sipas kompanisë së hetimit të shitjes së biletave “Dengta Data”.
“Avatar: Rruga e Ujit” siguroi 723 milionë juanë (rreth 103 milionë dollarë amerikanë) të ardhura nga shitja e biletave pas 11 ditësh shfaqjeje në pjesën kontinentale të Kinës.

Në tregun e shitjes me pakicë, një menaxher në dyqanin “Wulin Intime” në qytetin lindor Hangzhou tha se gjatë fundjavës së 17 deri më 18 dhjetorit, dyqani shënoi rritje si në fluksin e klientëve, ashtu edhe në shitje, me një shtim përkatësisht mbi 20 për qind krahasuar me një javë përpara.
Edhe tregu i turizmit ka pasur rigjallërim, veçanërisht në disa qytete të ngrohta në jug. Të dhënat nga dega e udhëtimeve e “Alibaba”-s “Fliggy” tregojnë se menjëherë pas publikimit të 10 masave të optimizuara, vëllimi i kërkimit në kohë reale dhe vëllimi i rezervimeve të biletave ajrore dhe hoteleve u rrit ndjeshëm.
Në qytetin bregdetar jugor të Sanya-së, rezervimet e disa hoteleve u rritën trefish krahasuar me një javë më parë. Më 18 dhjetor, në Aeroportin Ndërkombëtar “Phoenix” të Sanya-së u kryen 319 fluturime udhëtarësh, me një rritje prej mbi 134 për qind krahasuar me 7 dhjetorin, ndërsa qarkullimi i udhëtarëve ishte 42 765, 187 për qind më shumë se më 7 dhjetor.

Kompanitë kanë përshpejtuar rifillimin e prodhimit në Zonën e Zhvillimit Ekonomik-Teknologjik të Pekinit (BDA), e quajtur gjithashtu “E-Town”, ku gjenden shumë firma të teknologjisë së lartë.
Për të ndihmuar bizneset të përshpejtojnë rifillimin e prodhimit duke siguruar një mjedis të sigurt pune, zona të ndryshme në mbarë Kinën kanë hartuar masa vendore.

Në provincën Shanxi të Kinës Veriore, departamenteve përkatëse u është kërkuar të pyesin për nevojat e kompanive në baza të rregullta dhe t’i ndihmojnë ato të zgjidhin çdo problem në procesin e rifillimit të punës. Chongqing-u ka publikuar një sërë shërbimesh financiare për industritë kryesore.

Pekini i lejon njerëzit që janë shëruar nga COVID-19, të kthehen në punë pa teste të acidit nukleik ose antigjenit, ndërsa provinca Hunan e Kinës Qendrore ka shpallur masa të shumta për logjistikën, furnizimin me energji elektrike dhe përdorimin e tokës

Këto përpjekje kanë sjellë rezultate të dukshme. 100 firmat kryesore në BDA kanë rifilluar funksionimin e plotë dhe 99.5 për qind e projekteve të mëdha në Chongqing kanë nisur përsëri të ndërtohen. Fabrikat në Hunan kanë vendosur rekorde të reja prodhimi që nga nëntori, me besim të forcuar.