Biserko jep lajmin e keq për Vuçiqin: Ja kush po e rrëzon nga froni

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka thënë se për herë të parë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, nuk ka kontroll mbi ngjarjet në Serbi. Ajo ka thënë se protestat në Serbi kundër presidentit, janë një hap për ndryshime të brendshme.

Prishtina ka akuzuar Beogradin për të gjithë dhunën e fundit në veri të Kosovës. E pyetur se pse SHHBA dhe BE nuk janë treguar të ashpra ndaj Serbisë, Biserko ka hedhur dyshime se ato kanë paralajmëruar në një mënyrë tjetër Beogradin për situatën në Kosovë.

“Perëndimi është i rezervuar kur është fjala për të kritikuar hapur Beogradin për situatën aktuale në Kosovë. Nuk e di nëse po e paralajmërojnë Beogradin në një mënyrë tjetër për nxitje të tensioneve në veri. Duhet pasur parasysh se për herë të parë presidenti Vuçiq nuk ka kontroll mbi ngjarjet në vetë Serbinë. Protestat “kundër dhunës në Serbi” bartin një energji të re, do të thosha para së gjithash çlirim nga frika. Kjo nuk do të thotë që ndryshimet do të ndodhin shpejt, por gjithsesi këto protesta flasin për një proces që hap për momentin çështje të brendshme”, është shprehur Biserko për gazetën “Bota sot”.

Sipas saj, rebelimi edhe i serbëve në veri të Kosovës, po e rrëzon Vuçiqin nga froni.

“Vuçiq me kundër tubimin e tij u përpoq të imponojë se kërcënimi i serbëve jo vetëm në Kosovë, por në mbarë rajonin, ka prioritet dhe se uniteti në këtë moment është imperativ. Por këtë herë nuk funksionoi. Rebelimi i serbëve në veri kundër Listës serbe dhe Vuçiqit e delegjitimon edhe më tej Vuçiqin, i cili deri më tani njihej si zot i vetëm i Serbisë. Kjo shpjegon edhe sjelljen e presidentit, i cili duket mjaft i humbur. Në komentin e saj, RIA Novosti e Moskës tregon se rebelimi po e rrëzon Vuçiqin nga froni”, ka pohuar Sonja Biserko për “Bota sot”.

Ajo më tej ka akuzuar Beogradin se po kërcënon dhe privon nga e vërteta serbët në veri të Kosoovës.

“Beogradi ndjek një politikë që nuk është në interes të komunitetit serb dhe zgjidhjes së interesave të tyre jetike. Për më tepër, Beogradi përhap edhe dezinformata që stigmatizojnë më tej serbët në veri. Serbët në veri janë të privuar nga e vërteta, sepse Beogradi po kërcënon gazetarët që guxojnë të raportojnë në mënyrë profesionale. Për këtë arsye redaktori i portalit Kossev është ekspozuar ndaj kërcënimeve më të tmerrshme gjatë javës së kaluar, pasi ka shkelur urdhrin për të mos regjistruar të rinjtë me maska”, ka thënë Biserko.

Ajo ka shtuar se “komuniteti ndërkombëtar nuk ka një politikë konsistente ndaj Kosovës, sepse udhëhiqet nga interesi i tij parësor për ta fituar Serbinë drejt Perëndimit”./Botasot