Bilanc tragjik nga vala e të nxehtit, 40 të vdekur në Francë

Franca po përballet me një valë ekstreme të të nxehtit, e cila po shkakton pasoja të rënda në të gjithë vendin. Përveç shqetësimeve për viktimat e mundshme nga temperaturat e larta, autoritetet kanë raportuar një rritje alarmante të rasteve të mbytjeve në dete dhe lumenj.

Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, bëri të ditur se që nga 18 qershori janë regjistruar 40 viktima nga mbytjet, teksa shumë qytetarë kanë kërkuar freski në ujë pa respektuar masat e sigurisë. Ai e cilësoi situatën si një “plagë të trishtueshme” gjatë mbledhjes së qelizës ndërministrore të krizës, e ngritur për të menaxhuar pasojat e vapës ekstreme.

Në mbledhje, 17 ministra shqyrtuan situatën në spitalet dhe shtëpitë e të moshuarve, si dhe rreziqet e lidhura me thatësirën dhe zjarret në pyje. Ndërkohë, temperaturat e larta kanë detyruar edhe mbylljen e pjesshme të Kullës Eiffel, e cila do të mbyllet për vizitorët nga ora 16:00 për shkak të vapës së madhe që ka përfshirë Parisin.

Qeveria franceze ka aktivizuar nivelin e dytë të planit emergjent shëndetësor Orsan, i cili parashikon forcimin e koordinimit mes institucioneve, monitorim më të rreptë të kapaciteteve spitalore dhe angazhim më të madh të mjekëve të familjes për përballimin e situatës.

Ndërkohë, ekspertët po paralajmërojnë se Franca nuk ka bërë sa duhet për t’u përballur me pasojat e ndryshimeve klimatike. Ish-ministrja e Mjedisit, Corinne Lepage, deklaroi se vendi duhet të rimendojë modelin e zhvillimit urban, pasi qytetet aktuale nuk janë të përshtatura për temperaturat ekstreme që po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.

Qyteti i Bordosë regjistroi 43.3 gradë Celsius, duke u renditur ndër zonat më të nxehta jo vetëm të Francës, por edhe të botës. Sipas mediave franceze, temperaturat në disa qytete franceze kanë qenë më të larta se në destinacione tradicionalisht të nxehta si Marrakeshi, Kajroja, Rio de Janeiro apo Bangkoku.

Të dhënat e Qendrës Europiane për Parashikimet Meteorologjike tregojnë se vetëm 1.2% e sipërfaqes së planetit regjistroi temperatura më të larta se pika më e nxehtë e Francës gjatë ditës së djeshme, duke konfirmuar përmasat e jashtëzakonshme të valës së të nxehtit që ka goditur vendin.

/tvklan.al