SHBA-ja dhe Gjermania ranë dakord të koordinojnë politikat e tyre të jashtme për Ballkanin Perëndimor. Një angazhim i tillë u mor drejtpërdrejt gjatë telefonatës së parë midis presidentit të ri amerikan Joe Biden dhe kancelares gjermane Angela Merkel.
Çështje e hapur për të dy palët mbetet vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga Bashkimit Europian dhe kundërshtimi i ndërhyrjes së Rusisë në rajon.
Deri tani administrata e re në Uashington ka mbështetur përmes sekretarit të Shtetit Antony Blinken, punën e administratës së kaluar për dialogun dhe marrëveshjen për normalizimin ekonomik të arritur në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa pritet një koordinim më i madh me Brukselin.
Një tjetër çështje është edhe integrimi i shpejtë i rajonit në Bashkimin Europian dhe sheshimi i mosmarrëveshje rajonale, siç është ajo mes Shkupit dhe Sofjes për çështjet historike, që solli bllokimin e procesit për Maqedoninë Veriore.
Shqetësim i vazhdueshëm për Bashkimin Europian dhe për Uashingtonin është ndërhyrja ruse apo prania e lartë turke në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndaj tani pritet një koordinim më i mirë i partnerëve transatlantikë.