Biden thotë se Hamasi dhe Putin kanë një gjë të përbashkët

Presidenti amerikan Joe Biden tha se grupi militant palestinez Hamas dhe presidenti rus Vladimir Putin duan të “asgjësojnë” demokracitë fqinje gjatë një fjalimi të rrallë nga Zyra Ovale.

Presidenti iu drejtua vendit pas udhëtimit të tij në Lindjen e Mesme.

“Nëse agresioni ndërkombëtar lejohet të vazhdojë, konflikti dhe kaosi mund të përhapen në pjesë të tjera të botës”, tha ai.

“Hamasi dhe Putini përfaqësojnë kërcënime të ndryshme, por kanë një gjë të përbashkët. Të dy duan të asgjësojnë plotësisht një demokraci fqinje”.

Ai shtoi se sigurimi i suksesit të Izraelit dhe Ukrainës është jetik për sigurinë kombëtare të Amerikës dhe ai do t’i bënte Kongresit një kërkesë urgjente buxhetore për miliarda dollarë të premten.

Propozimi përfshin para për Ukrainën, Izraelin, Tajvanin, ndihmën humanitare dhe menaxhimin e kufirit.