Biden, Presidenti i parë amerikan që njeh “gjenocidin armen”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka thënë të shtunën se masakra e armenëve brenda Perandorisë Osmanë është një krim, ai atë e quajti edhe gjenocid. Kjo është një deklaratë historike e tij e cila i ka inatosur liderët e Turqisë, në kohën kur të dyja fuqitë botërore kanë raporte jo të mira.

Për dekada me radhë, Shtëpia e Bardhë ka pasë kujdes të shtuar në deklaratat e dhëna për këtë ngjarje. Diaspora armene e cila jeton në Amerikë ka gjasa të festojë për këtë qëndrim të Biden.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, ka thënë se ata e hedhin poshtë plotësisht vendimin e SHBA-së, për të cilin tha se bazohet vetëm në populizëm.

“Ne nuk kemi asgjë për të mësuar nga askush për të kaluarën tonë. Oportunizmi politik është tradhtia më e madhe ndaj paqes dhe drejtësisë”, ka shkruar Çavusoglu në Twitter.

Në deklaratën e tij, Biden ka pohuar se populli amerikan nderon “të gjithë ata armenë që u vranë në gjenocidin që ishte 106 vjet më parë”.

“Gjatë dekadave emigrantët armenë kanë pasuruar Shtetet e Bashkuara në mënyra të panumërta, por ata kurrë nuk e kanë harruar historinë tragjike … Ne e nderojmë historinë e tyre, ne e shohim atë dhimbje dhe e pohojmë historinë. E bëjmë këtë jo për të hedhur faj, por për të siguruar që ajo që ka ndodhur atëherë të mos përsëritet kurrë “, ka thënë Biden në deklaratë.